Në banerat në Skenderaj shkruhet gabimisht emri i Adem Jasharit, përplasen Bekim Jashari dhe Komun

Komuna e Skenderajt ka vendosur disa banera në qytet, në përgatitje të shënimit të 14-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Por, në njërin prej tyre, emri i Komandantit Adem Jashari, është shkruar gabim.

Në vend të Adem Jashari, emri i komandantit legjendar është shkruar Adam.

E për këtë gabim ka reaguar ish-kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, i cili është edhe djali i vëllait të Komandantit Adem Jashari.

Jashari ka shkruar në Facebook se ani pse ky mund të jetë një gabim i ndonjë individi, apo ndonjë kompanie, nuk duhet të lejohet të ikin gabime të tilla.

“E kuptoj që shtypjen e materialeve e bëjnë individ apo kompani të caktuara mirëpo asnjëherë nuk duhet lejuar që të na ikin gabime të tilla, sidomos kur bëhet fjalë për ngjarje të tilla dhe figura historike si ajo e Komandantit Legjendar Adem Jashari”, ka shkruar Jashari.

Pas reagimit të Jasharit, është përgjigjur edhe Komuna e Skenderajt, me një posatim në Facebook.

Në këtë reagim, Komuna thotë se e pranon gabimin, por gjen një arsyetim përmes së cilit fajëson pushtetin e kaluar.

“Përgjigje ndaj reagimit të ngutshëm të ish-kryetarit të Komunës, përkatësisht kryetarit të subjektit politik “Ideal” lidhur me kërkesën e tij, për kërkim falje lidhur me gabimin në shtypjen emrit të kryekomandantit Adem Jashari. Po, ne gabimin e pranojmë, sepse kemi përdorur materiale që janë prodhuar vitin e kaluar, gjatë kohës që ishin në pushtet (ishin po këto transparente dhe të njëjtit zyrtarët që i kanë vendosur). Gabime si ky i banerit, ne po vërejmë gati çdo ditë, në çdo dokument, procedurë a veprime të tjera të asaj qeverisje. Pra, më shumë se qeverisja aktuale, ka faj dhe përgjegjësi ajo e kaluar, ngase është prodhuar një transparent në kohën e ish-kryetarit Jashari. E çuditshme se si nuk pati një reagim vitin e kaluar???”, thuhet në reagimin e Komunës së Skenderajt.