Policia e Shqipërisë ka njoftuar sot arrestimin e tre shtetasve të Kosovës në përmbyllje të një operacioni policor të koduar “Transit”.
Operacioni është zhvilluar nga Komisariati i Policisë në Rinas, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Policinë e Tiranës.
Shtetasit B. H., 49 vjeç, lindur dhe banues në Podujevë, L. B., 21 vjeç, lindur dhe banues në Ferizaj dhe V. Gj., 36 vjeç, lindur dhe banues në Podujevë janë arrestuar në flagrancë ndërsa tentuan të kalonin kufirin me dokumente të falsifikuara.
“Nga hetimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas, pasi ishin pajisur me viza gjermane dhe belge të falsifikuara, kanë tentuar të kalojnë tranzit kufirin në Rinas, për t’u larguar në mënyrë të jashtëligjshme nga vendi jonë drejt vendeve të BE-së”, njofton Policia e Shtetit.
Policia ka shtuar se vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet e ngjarjes i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.