Lista Guxo regjistrohet në KQZ si parti politike, Gërvalla-Schwarz prezanton platformën – i vesh vetes merita për pavarësinë

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz, ka dalë në një konferencë për medie pas regjistrimit të Listës Guxo si parti politike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ),.

Gërvalla-Schwarz, e cila do ta udhëheqë subjektin “deri në mbajtjen e Kuvendit Zgjedhor”, tha se Lista Guxo është parti e qendrës së djathtë, në të cilën mirëpritet kontributi i të gjithëve.

“Guxo është një formacion i ri politik i cili fillet e tij i ka në kokë të trazuara dhe ballafaqime me sfida të mëdha, por me një sukses të jashtëzakonshëm në zgjedhjet e para një viti”, tha ajo.

Ajo e prezantoi në vija të trasha edhe platformën e kësaj partie, duke e nisur nga arsimi. Gërvalla tha se vendit i duhet cilësi dhe ekselencë në sistemin arsimor.

“Ne nuk vrapojmë, nuk bëjmë eksperimente. Gjatë dekadave të kaluara kemi dëshmuar se në kohë krizash dimë të jemi shumë të bashkuar me njëri-tjetrin. Nëse arrijmë ta rikthejmë këtë energji në diskursin tonë shoqëror, me njëri-tjetrin e jo kundër njëri-tjetrin, nuk ka kush që na ndalë”.

“Deri tani nuk kemi arritur që një pjesë të solidaritetit ta shndërrojmë në investim të qëndrueshëm:, u shpreh Gërvalla-Schwarz

“Iniciativa qytetare, Lista Vjosa, ‘Guxo’, në zgjedhjet e 14 shkurtit hyri si iniciativë qytetare duke u shndërruar si një faktor kyç i ndryshimeve politike në Kosovë. Sot, Lista ‘Guxo’ është shndërruar në subjekt politik. Ne kemi një program i cili ka një demokraci të brendshme dhe të theksuar të cilin e kemi krijuar pas një dialogu me anëtarësinë tonë”, ka thënë ajo.

Gërvalla-Schwarz ia ka mveshur dhe vetes disa merita për çlirimin dhe shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

“Kur presidenti Rugova pati votuar në vitin 1991 për pavarësinë e Kosovës, në një lokal zgjedhor në Tiranë, kur unë si 19-vjeçare me bashkëpunëtorë të tjerë, patëm organizuar referendumin për pavarësinë, shumë e shumë njerëz mendonin se pavarësia është vetëm një iluzion”.

“Dhe ja, sot jemi para jush për të prezantuar pak nga programi i partisë Guxo, partisë më të re në Kosovën e lirë dhe të pavarur”.

Ajo e ka quajtur Kosovën kampione të demokracisë në rajon.

“Kur kemi arritur ta realizojmë këtë mrekulli të madhe, çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, mund t’i realizojmë edhe këto mrekullitë e vogla”, tha Gërvalla Schwarz.

Ajo foli edhe për modernizimin e sistemit shëndetësor që “askush të mos ketë nevojë të udhëtojë për shërim”.