Hovenier, prokurorëve kosovarë: Ju sfidoj që të mbani përgjegjës shkelësit, sistemin dhe njëri-tjetrin

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se i sfidon prokurorët e Kosovës që të mbajnë përgjegjës shkelësit e ligjit, sistemin dhe njëri-tjetrin.

“Ju sfidoj që të mbani përgjegjës shkelësit, sistemin dhe njëri-tjetrin”, ka thënë nder të tjera ambasadori i SHBA-së gjatë fjalimi të tij në Konferencën Vjetore të Prokurorëve, raporton “Betimi për Drejtësi”

Ambasadori Hovenier ka deklaruar se prej kur ka ardhur në Kosovë, ka parë se sa shumë është përparuar në arritjen e vendosjes së një sistemi të fortë të sundimit të ligjit.

“Në një kohë relativisht të shkurtër, ju keni ndërtuar një kornizë ligjore të sofistikuar, keni përmirësuar qasjen në drejtësi, keni zvogëluar numrin e lëndëve të vjetra dhe në mënyrë proaktive keni ndihmuar viktimat për të përfituar kompensim”, ka thënë ambasadori Hovenier.

Sipas tij, është shënuar hap i rëndësishëm drejt krijimit të një kulture llogaridhënëse dhe profesionale.

“Presidenti Biden ka thënë luftimi i korrupsionit nuk është vetëm qeverisje e mirë, është vetëmbrojtje, është patriotizëm dhe është thelbësor për ruajtjen e demokracisë dhe ardhmërisë sonë. Korrupsioni është kancer, që jo vetëm varfëron qytetarët e rëndomtë, por prish besimin e qytetarëve në qeveritë demokratike”, ka thënë ambasadori i SHBA-së në Kosovë.

Sipas tij, duhet të përballemi drejtpërdrejt me korrupsionin dhe të ndahen resurset e domosdoshme për të bërë ndryshim të njëmend.

“Si prokuror është me rëndësi që të shërbeni si shembull, duke vendosur standarde më të larta në krejt çka bëni, si në gjykatë ashtu edhe jashtë gjykatës.”, ka thënë ai.

“Para jush është një proces i rëndësishëm, përzgjedhja e Kryeprokurorit të ardhshëm të Shtetit.  Është me rëndësi që Këshilli Prokurorial i Kosovës të mbajë persona të përzgjedhjes së drejtë, të hapur dhe besuar në merita. Kjo do të forcojë besimin e publikut në Kryeprokurorin e Shtetit si dhe në integritetin e procesit të përzgjedhjes”, ka thënë tutje ambasadori i SHBA-së, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ambasadori Jeffrey Hovenier ka folur edhe për dhunën në familje, e që sipas tij, disa persona në Kosovë dhe në SHBA mendojnë se dhuna në familje është çështje private familjare, ku nuk duhet të ndërhyjë as shteti e as organet e zbatimit të ligjit. Mirëpo, ai tha se dhuna në familje shkel të drejtat themelore të njeriut, të viktimave, shkatërron familjen dhe përfundon edhe me lëndime të rënda ose me vdekje.

“Ju përgëzoj për hapat që keni ndërmarrë për të trajtuar dhunën në familje, në mënyrë më energjike dhe për të ofruar shërbime jashtëzakonisht të nevojshme për viktimat, megjithëse kemi parë edhe raste të neglizhencës dhe jo profesionalizmit që përfunduar me pasoja tragjike. Ju sfidoj që të mbani përgjegjës shkelësit, sistemin dhe njëri-tjetrin”, ka thënë ambasadori.

Ai iu është drejtuar prokurorëve që të kërkojnë drejtësi të barabartë pa frikë, pa favore, dashamirësi ose keqardhje, pasi sipas tij, puna e prokurorëve nuk është vetëm që kryesit e veprave penale të dënohen, por se roli i prokurorit duhet të jetë synimi i drejtësisë dhe t’i shërbejë ligjit.

“Shpresoj që të mbani në mend se nuk jeni vetëm në këtë luftë, ekipi im do të vazhdojë të iu mbështesë dhe t’iu ndihmojë në përpjekjet tuaja për forcimin e sundimit të ligjit”, ka thënë ambasadori Hovenier.