Pasi Gjermania njohu patentë shoferët, presidentja mundohet t’i marrë meritat: E kisha biseduar me Steinmmeier dhe Mass’in

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pasi Gjermania ka njohur zyrtarisht patentë-shoferët nga Kosova, duke thënë se ky është një lajm shumë i mirë për mërgatën tonë që jetojnë në këtë shtet, derisa është munduar të marrë edhe pak meritat për vete për këtë vendim.

Me anë të një postimi në Facebook, Osmani ka thënë se njohja e patent shoferëve ka qenë një prej diskutimeve kryesore gjatë takimeve që ka pasur me Presidentin Frank-Walter Steinmeier dhe ish- ministrin e punëve të jashtme, Heiko Maas.

“Gjatë vizitës zyrtare në Gjermani, në takimet me Presidentin Steinmeier, si dhe në takimet me ish- ministrin e punëve të jashtme, z. Maas fillimisht në Prishtinë me 22 prill të vitit të kaluar, e pastaj dhe gjatë qëndrimit tim në Berlin, kjo ishte një prej diskutimeve kryesore, e cila reflektonte edhe një prej brengave kryesore të mërgatës sonë atje. Jashtëzakonisht mirënjohëse për bashkëpunimin e institucioneve gjermane në trajtimin e kësaj kërkese të kahmotshme”, ka shkruar Osmani.

Sipas Osmanit, njohja e patent shoferëve nga Gjermani, konfirmon besueshmërinë e institucioneve gjermane në procedurat dhe punën e institucioneve kosovare.

“Ky hap sot konfirmon besueshmërinë e institucioneve gjermane në procedurat dhe punën e institucioneve tona, e rrjedhimisht kontribuon në avancimin tutje të raporteve tona tashmë të shkëlqyeshme bilaterale. Do të vazhdojmë punën në bashkëpunim me institucionet tjera në vend për tu siguruar që ky shembull të ndiqet edhe nga shtetet e tjera të BE-së”, ka shkruar ajo.

Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, ka njoftuar sot se ka kaluar propozimi për njohjen e patent-shoferëve të Kosovës në Gjermani.

Ajetit në një postim në Facebook ka thënë se, pro këtij propozimi kanë qenë 69 vota.

“Kënaqësi e veçantë të takoja pjesën më të madhe të Ministrave të Transportit të 16 landeve gjermane në prag të votimit të njohjes së patentë shoferëve të Republikës së Kosovës. Edhe me i lumtur, kur nga 69 votat e përgjithshme të Bundesratit, Republikës tonë nuk i mungon asnjë votë. Kjo flet shumë për miqësinë ndërmjet dy vendeve tona, si dhe për fuqizimin dhe ngritjen e cilësisë së standardizimit të patentë shoferëve të Kosovës me normat evropiane. Faleminderit Gjermani”, ka shkruar Ajeti.