PDK nuk merr pjesë në takimin e thirrur nga Molliqaj

Partia Demokratike e Kosovës nuk do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga Partia Socialdemokrate.

Zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu ka mohuar pjesëmarrjen në takimin e thirrur me qëllim koordinimin ndaj kundërshtimit të rritjes së çmimit të energjisë elektrike.

Sipas PDK-së, shtrenjtimi i energjisë elektrike rrezikon të përdorët për protagonizëm personal nga individë politik. Abdullahu ka thënë se PDK-ja mohon të bëhetë pjesë e lojërave të tilla politike.

“Partia Demokratike e Kosovës e ka ngritur çështjen e krizës energjetike dhe rritjes së çmimit të energjisë që nga shtatori i vitit të kaluar dhe nuk e kemi bërë këtë për protagonizëm politik, por si obligim qytetar për të trajtuar një çështje që e rëndon mirëqenien e çdo familjeje kosovare”, ka thënë Abdullahu.

Avdullahu ka thënë se, megjithatë, PDK-ja i respekton veprimet e PSD-së për të kundërshtuar vendimin e ZRRE-së.

“Ne e ruajmë vlerësimin parimor edhe për partitë jashtë-parlamentare, por besojmë se veprimet tona janë ato që duhen ndjekur. Andaj, ne jemi të bindur se obligimi ynë është që përmes veprimeve tona të ndikojmë në anulimin e vendimit për rritje të çmimit të energjisë, përtej tendencave për protagonizma personal”, ka thënë tutje Abdullahu.

Ai ka paralajmëruar edhe veprime të tjera jashtë kuvendit.

“Ne, si PDK po diskutojmë edhe veprime të tjera jashtë Kuvendit për të kundërshtuar vendimin skandaloz të ZRRE-së dhe të Qeverisë Kurti dhe shpresojmë se ato do të mbështeten nga të gjitha subjektet dhe organizatat që janë në linjë të njëjtë me këtë kundërshtim”, ka thënë zëdhënësi i PDK-së.

Partia Socialdemokrate (PSD) ka ftuar në takim partitë opozitare, përfaqësues të shoqërisë civile dhe të sindikatave, që bashkërisht ta kundërshtojnë vendimin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.