Zyrtari i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Zotëria i Parë, Prindon Sadriu, përmes një shkrimi në profilin e tij në “facebook” i kishte cilësuar mediat dhe gazetarët si një “ndërmarrje të përbashkët kriminale” pas raportimeve rreth shpenzimeve për udhëtime të presidentes Vjosa Osmani gjatë kohës sa kishte qenë deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës, përkatësisht vitet 2012, 2013 dhe 2014.
Lidhur me një reagim të tillë të Sadriut ndaj mediave vendore, për kanë folur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë. Përmes një përgjigje me email thonë se BE-ja mbështet lirinë dhe pluarlizimin e mediave si shtyllë e demokracisë.
Nga kjo Zyrë theksojnë se mediat luajnë rol kyç në mbajtjen e pushtetit në llogari dhe se si Bashkim Evropian mbështesin lirinë e medias dhe shprehjes, ku përfshihet marrja dhe dhënia e informacioneve pa ndërhyrjen e autoriteteve publike.
“Bashkimi Evropian mbështet lirinë dhe pluralizmin e mediave si shtylla të demokracisë dhe mundësues të një debati të lirë dhe të hapur. Liria e mediave dhe pluralizmi sigurojnë rrjedhjen e informacioneve dhe luajnë një rol kyç në mbajtjen e pushtetit në llogari. Përkushtimi i Bashkimit Evropian për të respektuar lirinë e mediave dhe pluralizmin dhe për të mbështetur lirinë e shprehjes, që përfshinë edhe të drejtën e marrjes dhe dhënies së informacioneve pa ndërhyrje nga autoritetet publike, janë të përfshira në nenin 11 të Kartës së të Drejtave Themelore të BE-së, i cili pasqyron nenin 10 të Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore”, kanë thënë në një përgjigje për Gazetën Express.
Prindon Sadriu kishte reaguar të martën mbrëma ndaj mediave pas raportimeve në disa media se si presidentja Osmani sa kishte qenë deputete e Kuvendit të Kosovës kishte shpenzuar qindra euro për udhëtime edhe pse në një status të saj kishte deklaruar se që nga viti 2012 jeton në një banesë në Prishtinë.
Reagimet e shumta të gazetarëve dhe shoqërisë civile, kishin bërë që Sadriu ta fshinte një shkrim të tillë ndaj mediave dhe gazetarëve, për t’u rikthyer më pas të mërkurën me një status të gjatë ku arysetonte reagimin e tij, me faktin se është bashkëshort e prind, derisa s’kishte kursyer përsëri mediat, duke i ndarë në profesionale dhe joprofesionale.
Lidhur me shkrimet për shpenzimet ka reaguar edhe këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina, i cili ka shpjeguar se pse, sipas tij, Osmani kishte shpenzuar për udhëtime edhe pse kishte deklaruar se jetonte në Prishtinë nga viti 2012. Kupina kishte thënë se Osmani edhe pse jetonte në Prishtinë nga viti 2012, shumicën e kohës ka udhëtuar nga Gjilani.
“Që nga dhjetori i vitit 2012, znj.Osmani është martuar në Prishtinë, por edhe më tej, më shumë se gjysmën e vitit (nga fillimi i vitit 2013 e tutje), zonja Osmani i kalon në Gjilan, prej nga edhe ka udhëtuar. Znj. Osmani edhe sot e kësaj dite vazhdon që pjesën më të madhe të vitit të udhëtojë nga Gjilani. Përgjatë viteve 2011-2014 që ajo qenka kompensuar me rreth 80 euro në muaj për udhëtimet e mandatit të parë, ajo asnjëherë nuk është informuar rreth kompensimit për udhëtim”, kishte shkruar Kupina në reagimin e tij.
Ndryshe, shkrimin e Prindon Sadriut drejtuar mediave dhe gazetarëve e kanë dënuar edhe organizatat ndërkombëtare të gazetarëve, të cilët kanë kërkuar që Sadriut t’i ndalë sulmet e vazhdueshme ndaj mediave.
Edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar dhe ka dënuar gjuhën e Sadriut drejtuar mediave dhe gazetarëve./GazetaExpress/