Ortek në Brezovicë, ekspertët e kishin paralajmëruar para disa ditëve

Një ortek i madh ka rrëshqitur sot në qendrën e skijimit në Brezovicë.

Në pamjet të cilat janë publikuar në rrjetet sociale shihet se ekipet e shpëtimit si dhe vullnetarët janë duke gërmuar borën mbi ortek.

Lidhur me këtë nga Policia e Kosovës kanë deklaruar se ende nuk dihet nëse ndonjë person ka pësuar lëndime si pasojë e ortekut.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, bëri të ditur se për rastin është njoftuar edhe Njësia e Shpëtim-Kërkimit të FSK-së dhe ekipet e policisë të cilët janë duke u ngjitur tek vendi ku ka rrëshqitur orteku.

“Në ora 13:10 policia ka pranuar një informacion që ka rënë një ortek i borës, tek pista e skijimit.Tani për tani nuk kemi ndonjë informacion se ka ndonjë të lënduar. Policia ka njoftuar Njësinë e Shpëtimit-Kërkimit të FSK-së, ekipet e policisë janë atje dhe po provojnë të ngjiten në vendin ku ka rënë orteku”, tha ai.

Ndryshe disa ditë më parë, ekipet e kërkim-shpëtimit patën paralajmëruar se mund të ketë lëshim të ortekëve për shkak të reshjeve të borës.

“Pas reshjeve të fundit të borës të përcjellura me erëra të forta, disa pjesë në zonat malore të rajonit tonë kanë rrezik potencial për lëshimin e orteqeve. Sidomos faqet e drejtimeve gjeografike: perëndim, veri perëndim dhe disa drejtime të tjera që kanë qenë nën ndikimin e faktorëve të lartpërmendur”, thuhej në komunikatë.

Në të njëjtin njoftim ekipet e kërkim-shpëtimit kanë dhënë edhe disa këshilla për personat që skijojnë.

Rreziku kryesor është në zonat mbi pyjore, por ekziston edhe rreziku në zonat pyjore dhe ndërpyjore.

-Mos skijoni jashtë shtigjeve të skijimit!

-Bjeshkatarë evitoni aktivitetet e juaja në pjerrësitë 30~45°.
-Zhvilloni aktivitetet e juaja në vende të sigurta dhe jo të ekspozuara.

-Përdorimi i pajisjeve të sigurisë për ortek është i domosdoshëm!

Për çdo urgjencë kontaktoni në numrat:

112