Zgjerohet koalicioni i Përparim Ramës në Prishtinë, i bashkohet edhe një subjekt politik

Përparim Rama pritet ta zgjerojë koalicionin e tij me subjektet politike në Prishtinë.

Qeverisjes së arkitektit nga Londra do t’i shtohet edhe Nisma Socialdemokrate në bashkëqeverisjen e Komunës së Prishtinës, ka paralajmëruar, Bekim Brestovci, këshilltari i kryetarit Rama.

Mbylljen me sukses të negociatave për bashkëqeverisje mes LDK-së dhe Nismës Socialdemokrate, e ka bërë të ditur edhe Endrit Zabërgja, asamblisti i vetëm i Nismës në Asamblenë Komunale të kryeqytetit

“Po jemi afër finalizimit të marrëveshjes për bashkëqeverisje me LDK-në”, pohoi Zabërgja për Paparacin.

Javën e kaluar, LDK-ja dhe PDK-ja konfirmuar arritjen e një marrëveshje për bashkëqeverisje në Prishtinë.

Sipas marrëveshjes, PDK-ja mori përsipër udhëheqjen e pesë drejtorive, si dhe pozitën e nënkryetarit.

Një drejtori, sipas marrëveshjes me LDK-në e Ramës, e ka mori në udhëheqje edhe Lëvizja për Bashkim (LB).

LB-ja, përfaqësohet me vetëm një asamblist në Kuvendin Komunal.

Numër të njëjtë të ulëseve në kuvend ka edhe Nisma Socialdemokrate.

Kësisoj, edhe partia e Fatmir Limajt pritet të udhëheq me një drejtori në Prishtinë.

Këtë e ka konfirmuar Bekim Brestovci, këshilltari i Përparim Ramës.

“Nisma natyrisht e ka një asamblist në Kuvendin komunal dhe është në negocim e sipër ndoshta edhe për të marrë një drejtori në udhëheqje që pritet të krijohen së shpejti”, ka thënë ai .

Komunës së Prishtinës do t’i shtohen edhe katër drejtori.