Ministri Çeku: Debati për shtëpinë e Xhafer Devës e ka origjinën në Serbi, objekti ka nevojë për restaurim

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se debati për Xhafer Devën e ka origjinën në Serbi

Në një konferencë për media, Çeku theksoi se kjo shtëpi duhet të restaurohet pasi është në gjendje të keqe.

“Debati i ditëve të fundit ka origjinën në Serbi dhe kjo është e qartë, paradoksalisht, një shtet që mohimin e gjenocidit dhe rehabilitimin e kriminelëve e ka politik shtetërore tenton ta fabrikojë një narracion duke e portretizuar Kosovën si mohuese të holokaustit. Ky është një narracion i gënjeshtërt që vjen nga Serbia, sepse faktet historike janë kokëforta dhe nuk janë në anën e Serbisë, faktet aktuale e përgënjeshtrojnë këtë narracion absurd dhe të rrezikshëm të Serbisë”, tha Çeku.

Ministri tha se për këtë çështje partnerëve ndërkombëtarë, u ka dhënë sqarime.

“Pas restaurimit monumenti mund të shërbejë si hapësirë shtesë për debatin historik, por njëherë duhet ta mbrojmë monumentin”, theksoi ai.

“Ne nuk i frikësohemi as fakteve historike… Në çdo moment jemi të gatshëm ta trajtojmë edhe anën e errët të historisë sonë”, shtoi ministri.