Oda e Avokatëve të Kosovës e ka vërtetuar dënimin me gjobë në vlerë 2 mijë e 500 euro ndaj avokatit Tomë Gashi lidhur me rastin e shkelmimit të lypsarit dhe kartonit ku ai mbante paratë e grumbulluara.
Sipas vendimit të OAK-ut, Gashi ka kryer shkelje të rëndë të detyrave dhe autoritetit të avokatisë dhe ka cenuar autoritetin e avokatisë.
“Kolegji Disiplinor me Vendimin nr.3-17/2021 datës 24.11.2021 ka shpallur përgjegjës të paraqiturin Avokat T. G. me seli në P., sepse me datën 14/02/2020 në sheshin Nënë Tereza në Prishtinë, ka ndërmarr veprime jo etike kur ka shkelmuar lypsarin, si dhe kartonin me të hollat e tij,
me çka ka kryer shkelje të rëndë të detyrave dhe autoritetit të avokatisë nga neni 119 të statutit të OAK-së, lidhur me nenin 8 të KEPA-s, sepse me veprimin e bërë ka cenuar autoritetin e avokatisë”, thuhet në vendimin e OAK-ut.
Ky vendim i Odës së Avokatëve ka ardhur pasi Kolegji Disiplinor ka shqiptuar gjobën prej 2.500 ndaj avokatit. Gashi është ankuar lidhur me shqiptimin e kësaj gjobe, por OAK vendosi se ankesa e Gashit është e pabazuar.
“Kolegji Disiplinor në pajtim me nenin 51 paragraf 1, nënparagraf 1.2 të Ligjit për Avokatinë, nenin 123 paragraf 3 të Statutit të OAK-së të paraqiturit, Avokatit T. G. i ka shqiptuar masën disiplinore Gjobë në shumë prej 2,500 €, si dhe në emër të paushallit disiplinor shumën prej 50 €, me paralajmërimin se gjoba dhe paushalli duhet të paguhet në buxhetin e OAK-së, në afat prej 15 dite nën kërcënimin e përmbarimit të detyrueshëm.
Kundër këtij vendimi, në afatin ligjor ka ushtruar ankesë i paraqituri Avokati T. G.. Prokurori Disiplinor ka ushtruar përgjigje në ankesë, duke propozuar që ankesa e ushtruar nga i paraqituri të refuzohet, ndërsa vendimi i Kolegjeit Disiplinor të vërtetohet”, thuhet më tutje në vendimin e OAK.
Kështu ndaj Tomë Gashit është vërtetuar dënimi me gjobë prej 2.500 euro dhe si dhe në emër të paushallit disiplinor shumën prej 50 euro.