“Me VV-në lirohet nafta për bujqit”, si mund të realizohet premtimi i kahmotshëm i Kurtit?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë kohës sa ishte në opozitë premtonte pa pritesë. Ai kishte kritika për shpenzimet zyrtare dhe këto shpenzime ai premtonte se do t’i drejtojë kah qytetarët, por kjo s’po ndodh.

Para tri viteve, ai në një postim në Facebook shkruante se nafta në Kosovë nuk ka qenë kurrë më shtrenjtë dhe kritikonte zyrtarët e atëhershëm shtetërorë se po i mbushin “lirë” xhipat e tyre.

Ai kishte thënë se naftën e lirë duhet ta kenë bujqët të cilët sipas tij s’kishin llogari ta punonin tokën, ndërsa premtonte se me LVV-në do të lirohej nafta për bujqit.

“Sot po shtohen xhipat qeveritarë, që e kanë naftën e lirë ashtu siç duhet ta kishin traktorët e bujqve të cilët s’po kanë llogari të punojnë tokën. Me qeverisjen e Lëvizjes VETËVENDOSJE! nesër, lirohet nafta për traktorët e bujqve që do ta punojnë tokën dhe hiqen xhipat e shtrenjtë, sepse popullit i duhet dhënë llogari”, shkruante Kurti.

Por, si mund të realizohet ky premtim i Kurti që nuk po e plotëson dot?

Sipas hulumtimeve, ka një mënyrë të thjeshtë se si Qeveria Kurti mund t’i ndihmojë fermerët dhe të ulë barrën e tyre financiare nga rritja e çmimit të naftës në Kosovë. Kjo ka të bëjë me shënjimin molekular të naftës që vetë qeveria kishte deklaruar se do të ndihmonte edhe fermerët duke parandaluar rritjen e çmimit të  naftës që përdoret nga makinat bujqësore, si traktorët.

Një mënyrë tjetër që markimi molekular është i rëndësishëm për të ndihmuar fermerët, është se i mundëson qeverisë të monitorojë dhe kontrollojë në mënyrë efektive mënyrën e shpërndarjes së karburantit të subvencionuar dhe nëse shpërndahet siç duhet dhe për qëllimin e synuar.

Kjo do të thotë se qeveria mund të parandalojë abuzimet me karburantet e subvencionuara të destinuara për buqjit, dhe të ndaloj mashtrimin nga kriminelët, të cilët ndonjëherë e devijojnë karburantin e subvencionuar për përdorime të tjera, apo e shesin me çmim më të lartë.

Ka dy vjet që gjithçka është në vend për të zbatuar këtë metodë, por qeveria ka lënë pas dore përgjegjësitë e saj. Në janar të vitit 2021 Qeveria ka nënshkruar kontratë me një kompani zvicerane e quajtur SICPA për të filluar zbatimin e një projekti për shënjimin molekular të naftës në Kosovë në mënyrë që të sigurohet se qeveria mund të kontrolloj cilësinë e naftës në tregun e brendshëm dhe të parandalojë kontrabandën dhe keqëpërdorimet.

Por pavarësisht se mënyrat për ta bërë këtë janë të thjeshta, duket se mungon vullneti qeveritar për realizimin e një premtimi të cilin e kanë dhënë vet.