Lulzim Basha bënë thirrje për njohjen e Kosovës nga të gjitha vendet e BE-së

Në fjalën e tij në Asamblenë Politike të Partisë Popullore Evropiane, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha kërkoi përmbylljen e njohjes së Kosovës nga vendet e Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur vendin e vogël në Ballkanin Perëndimor.

Basha gjithashtu bëri thirrje për një ndikim më të madh të Evropës për përmbylljen e marrëveshjes për njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që të dy vendeve t’u mundësohet anëtarësimi sa më i shpejtë në BE.

Ndërkaq, Basha theksoi se popujt e rajonit, pa dallim, duan të shohin përpara për të ardhmen e tyre të përbashkët evropiane dhe të lënë pas të kaluarën tragjike.

Situata e tensionuar mes Ukrainës dhe Rusisë ishte gjithashtu pjesë e diskutimit të Bashës në takim.

Basha theksoi se PD mbështet plotësisht përpjekjet e BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për një zgjidhje diplomatike në Ukrainë.

“Ne duhet të qëndrojmë krah për krah në aleancën tonë euroatlantike përballë kësaj sfide të rrezikshme jo vetëm për vetë Ukrainën, por edhe për Evropën e më gjerë”, shtoi Basha.

“Lufta nuk duhet të jetë kurrë një opsion, ndaj mbetet detyrë e liderëve politikë të përdorin të gjitha mjetet diplomatike dhe të lënë mënjanë kërcënimet e luftës”, deklaroi ai.