Lideri i separatistëve pro-rusë thotë se lufta në Ukrainën lindore mund të nisë në çdo moment

Një lider i separatistëve të përkrahur nga Rusia në Ukrainën lindore tha të hënën se një luftë e plotë mund të shpërthejë në atë pjesë në çdo kohë dhe se forcat e tij mund t’i drejtohen Moskës për përkrahje.

Denis Pushilin, udhëheqës i të ashtuquajturës Republika Popullore e Donetskut, tha se ka gjasë të madhe për luftë që do të sillte pasoja të mëdha, ndonëse do të ishte “çmenduri” hyrja në një konflikt të tillë, shkruan Reuters.

“Së pari, ne mbështetemi në veten tonë, por nuk e përjashtojmë mundësinë që do të detyrohemi që t’i drejtohemi Rusisë, nëse Ukraina, me përkrahjen e shteteve perëndimore, kalon një vijë të caktuar”, i tha ai agjencisë “Reuters” në zyrën e tij të fortifikuar.

Pushilin tha se separatistët kanë mungesa në armatimin e tyre, kur bëhet fjalë për pajisje luftarake elektronike, mbrojtje ajrore dhe aftësi për t’i luftuar dronët ukrainas të prodhuar nga Turqia.

Ai tha se ata nuk janë në kontakt me Rusinë për furnizimin me armë, por vuri në pah një “deklaratë të rëndësishme” nga një politikan i partisë në pushtet në kuvendin rus muajin e kaluar, i cili tha se Moska duhet t’i furnizojë separatistët në Donetsk dhe Luhansk me lloje të caktuara të armëve.

Në një intervistë tjetër për agjencinë “Reuters”, një komandant me ndikim në rajonin e ndarë, Alexander Khodakovsky, i bëri thirrje Rusisë që të dërgojë 30.000 ushtarë për t’i fuqizuar separatistët dhe për të operuar sisteme të reja armësh, për të cilat ai shpreson se Moska do t’ua ofrojë atyre.