KEDS: Të ndalen sulmet ndaj punëtorëve tanë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare

Në një njoftim zyrtar, KEDS ka deklaruar se ka pritur me shqetësim informatën se është sulmuar ekipi punonjës në Pejë.

“KEDS ka pranuar me shqetësim informatën se gjatë ditës së diel, derisa ekipet tona ishin duke intervenuar në rrjet në një lagje të Pejës, ata janë sulmuar nga një qytetar, i cili nuk ka lejuar punëtorët të kryejnë detyrën e tyre zyrtare, duke rrezikuar kështu edhe furnizimin me energji elektrike për konsumatorët tjetër të asaj lagje” thuhet në njoftimin e KEDS.

Korporata gjithashtu ka njoftuar se i njëjti ka shkaktuar edhe dëme të aseteve të KEDS, me ç’rast ka dëmtuar shtyllën e vendosur nga ekipi punonjës.

“KEDS dënon fuqishëm këtë veprim derisa fton organet e drejtësisë të veprojnë konform kompetencave të tyre që ata të cilën bëjnë veprime të tilla të marrin dënimin e merituar” thuhet tutje në njoftim.