Një muaj paraburgim ndaj zyrtarit policor në Pejë, dyshohet për dhunim, shantazh dhe fotografim të paautorizuar

Gjykata Themelore në Pejë ka miratuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë, duke caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh, ndaj të dyshuarit G.L (zyrtar policor), i cili dyshohet për veprat penale “Dhunim”, “Shantazh” dhe “Fotografimi dhe incizimi i paautorizuar”.

Lajmin e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, zëdhënësja e Gjykatës së Pejës, Tringa Zhuti.

Ndryshe, Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) më 4 shkurt njoftoi për arrestimin e rreshterit të policisë G.L.

“Bazuar në dëshmitë dhe provat e mbledhura hetuesit e IPK-së kanë arrestuar sot në orët e mbrëmjes zyrtarin policor të përfshirë në këtë rast me dyshimin se i njëjti ka kryer vepër penale dhe atë nga neni 227, 329 dhe 202 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhej në njoftimin e IPK-së.

Ndërsa, Prokuroria Themelore në Pejë, më 5 shkurt ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.