Kosova muajt e fundit po përballet me krizë energjetike. Pos paralajmërimeve për shtrenjtim të çmimit të energjisë elektrike, blloqet e Korporatës Energjetike të Kosovës çdo ditë po paraqesin telashe, ndonëse së fundmi kjo kompani mori 20 milionë euro subvencion nga Qeveria e Kosovës.
Shtetit iu desh ta paguajë 248 mijë euro ose 12 mijë euro në ditë, një ekspert të huaj për të kthyer në funksion bllokun B2 të termocentralit “Kosova B”, shkruan Demokracia.com.
E veç pak ditë pas kthimit në funksion të këtij blloku, KEK njoftoi se nga 29 janari deri më 27 shkurt, njësia A3 e termocentralit “Kosova A” do të jetë jashtë operimit shkaku i servisimit të rregullt.
Por, krejt këto telashe nuk kanë ndikuar që drejtori i KEK-ut, Nagip Kraniqi, i emëruar nga Albin Kurti, t’ia prishë qejfin vetes.
Ai ka blerë telefon me paratë e qytetarëve në vlerë 1 mijë euro.
Madje, kur është pyetur për telefonin, Nagip Krasniqi, ka thënë se debati për çmimin e telefonit që ndërmarrja e ka blerë për të nuk është relevant.
“Për mua është irelevante se a do të jetë telefoni 500 apo 1 mijë euro, duke marrë parasysh që duhet të jetë diku tjetër llupa apo duhet të ketë kursim në transparencë. Unë besoj që debati për telefon nuk është relevant për një institucion si KEK-u. Është pak keqpërdorim i fokusit”, deklaroi Krasniqi në Kallxo Përnime.