Lirohet kameramani i EO-s: Sjellja e Policisë ishte arrogante, s’jemi kriminelë

Pss marrjes në pyetje në stacionin policor në Suharekë, është liruar kameramani i agjencisë së lajmeve Albion Selitaj, i cili u arrestua sot derisa ishte duke mbuluar ngjarjen nga ndërhyrja e AKP-së për të marrë në menaxhim zyrat e ndërmarrjes “AgroKosova Holding“.

Selitaj tregoi se pasi ka dhënë deklaratë, rreth orës 13:30 është lënë i lirë. Ai tha se sjellja në stacion ka qenë korekte. “Më thanë që do të procedohen për pengim të personave zyrtarë”.

Ndërsa, gjatë arrestimit sjellja e Policisë ka qenë tejet arrogante.

Ai ka thënë se në momentin kur është arrestuar u ka treguar Policisë se ishte duke xhiruar drejtpërdrejt, prandaj ka kërkuar që të mos ta shtyjnë sepse mund t’ia thyejnë kamerën dhe pajisjet e tjera..

“Sapo dola nga stacioni policor në Suharekë, ku dhashë një deklaratë në Polici, ku u tregova se kam qenë duke e kryer punën time dhe pasi që kam qenë live, më është dashur të dalë më ngadalë nga aty. Ata më kanë shty, kanë dashtë të ma thyejnë edhe kamerën”, ka thënë ai.

“Edhe ne jemi në vendin e punës dhe policia ka mundur të na japin një afat e jo ashtu si kriminelë. Policia e Kosovës duhet me pas respekt për punën e gazetarëve dhe kameramanëve. Sjellja e zyrtarëve policor ka qenë arrogante”, ka thënë Selitaj .