Sot do të shqyrtohen masat antiCOVID-19 të vendosura nga Qeveria e Kosovës më 21 janar e që hyrën në fuqi më 22 janar.
Komiteti për menaxhimin e pandemisë do të mblidhet në takim nesër në ora 14:00, për vlerësimin e situatës epidemiologjike dhe analizimin e vendosjes së masave të reja antiCOVID.
Kujtojmë që masat që janë edhe sot në fuqi, patën nxitur reagime të shumta. Gastronomia ishte lejuar të punojë vetëm deri në orën 21:00, ndërsa ora policore ishte vendosur nga ora 22:00.
Ndërkohë që ajo që nxiti reagimin edhe të vendeve fqinje ishte që hyrja në Kosovë t’iu lejohet vetëm personave që janë të vaksinuar edhe me dozën e tretë antiCOVID-19.
Jozyrtarisht është bërë e ditur se ora policore mund të përgjysmohet ose të largohet tërësisht, ndërsa gastronomia do të kthehet me orarin e mëparshëm të funksionimit deri në ora 23:00.
Kurse në pikat kufitare nuk parashihet të ketë nevojë që qytetarët të dëshmojnë se kanë marrë tri doza të vaksinës, meqë do të jetë e mjaftueshme të kalohet kufizimi me dy doza të vaksinës dhe pa ndonjë test PCR.
Poashtu pritet që Ministria e Shëndetësisë të lejojë mbajtjen e ahengjeve të ndryshme dhe dasmave, edhe pse marrëveshja me Odën e Hotelerisë dhe Turizmit është që nëse në një aheng s’përfillen masat dhe të ketë persona pa të pavaksinuar me dy doza të vaksinës antiCOVID, Inspektorati do të mbyllë lokalin në fjalë deri në 12 muaj.
Ndryshe në 24 orët e fundit janë konfirmuar 2 mijë e 590 raste të reja të të infektuarve me koronavirus.
Në të njëjtën kohë kanë humbur jetën gjashtë persona, kurse numri i rasteve aktive në mbarë vendin është 32 mijë e 538 raste.