Stuhi dhe përmbytje përgjatë gjithë bregut lindor në SHBA

Pas stuhisë më të madhe të borës që përfshiu bregun lindor amerikan në katër vitet e fundit, ka nisur tashmë operacioni masiv i pastrimit.
Qytete si Boston dhe Atlantic City ishin më të goditurat nga stuhia, ndërsa në disa pjesë të shtetit të Nju-Jorkut, bora arriti deri në 61 cm lartësi. Në Masaçusets, mbi 30 mijë vetë mbetën pa energji elektrike për gati 12 orë.

Edhe transporti përgjatë bregut lindor u bllokua. Mbi 6000 fluturime u anuluan, ndërsa në 10 shtete u shpall gjendja e alarmit. Shërbimi Amerikan i Motit shpjegoi se stuhia ishte shndërruar në një “ciklon bombë”, një fenomen që ndodh kur ajri i ftohtë përzihet me ajrin e ngrohtë të detit, duke ulur ndjeshëm presionin atmosferik, raporton A2news.

Në qytetin e Nju-Jorkut, bora arriti në nivelin rekord prej 18,5 cm në “Central Park”. Makinat borëpastruese u shpërndanë në të gjithë shtetin për të bërë të mundur largimin e borës dhe hapjen e rrugëve të bllokuara. Në Long Island bora arriti deri në 62,7 cm lartësi.

Në qytete bregdetare pati edhe përmbytje, njëkohësisht me stuhinë e borës, të shkaktuara nga baticat e mëdha.