Profesori i biologjisë, Lulzim Paci, ka shpërthyer në lot gjatë intervistës së sotme në KTV, teksa fliste sesi u bullizua pas publikimit të videove duke vallëzuar.
Ai deklaroi se ka marrë shumë komente negative, derisa u shpreh se askujt s’i ka bërë keq me ato veprime, përveç se sipas tij, i ka mbrojtur vlerat kombëtare.
Me reagim kishte dalë edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fjolla Ujkani, duke thënë se Gjimnazi “Eqrem Çabej” në Vushtrri dhe Drejtoria e Arsimit duhet të marrin masa.
“Të dashur qytetarë të Vushtrrisë, në veçanti juve nxënës të Gjimnazit ‘Eqrem Çabej’- Vushtrri, dhe juve prindër. Ditëve të fundit njëri nga profesorët e Gjimnazit ‘Eqrem Çabej’ është duke publikuar video të tij, të cilat janë veprime të pahijshme dhe degjeneruese. Andaj, i bëj thirrje drejtorit të Gjimnazit dhe drejtorisë së Arsimit në Vushtrri, që të marrin masa ndaj profesorit në fjalë. Sepse veprimet tij përmes videove lënë të kuptojnë, që një profesor i tillë nuk mund të arsimoj dhe edukoj kategorinë më të çmueshme të shoqërisë, rininë tonë”, thuhet në statusin e saj të publikuar më 27 janar.
Për reagimin e deputetes, Paci deklaroi në KTV se Ujkani ka qenë nxënëse në atë shkollë dhe sipas të gjitha gjasave nuk do ta padisë atë.
Ka folur edhe për telashet që ka shkaktuar gjithë kjo situatë në familjen e tij.
“I thashë vëllait tim, nëse të pyesin se çka e ke Lulzim Pacin, thuaj kushëri. Mos i thuaj vëlla”, deklaroi Paci derisa ia nisi të qajë.