Opozita akuzon Qeverinë për dështim në menaxhimin e pandemisë

Opozita në Kosovë ka akuzuar Qeverinë se nuk e ka menaxhuar si duhet situatën me pandeminë.

Gjatë një seance të jashtëzakonshme lidhur me situatën epidemiologjike me COVID-19 në Kosovë, opozita e ka kritikuar Qeverinë edhe për masat e fundit kundër përhapjes së koronavirusit.

Seanca e Kuvendit po mbahet në një kohë kur numri i të infektuarve me COVID-19 ka shënuar rekord të rasteve të reja.

Më 27 janar, pas testimit të 16,307 mostrave, 4,397 prej tyre kanë rezultuar pozitivë në Kosovë.
Aktualisht, në Kosovë janë mbi 25 mijë raste aktive me koronavirus

Seanca është thirrur me kërkesë të partive opozitare: Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, akuzoi Qeverinë e Kosovës për paaftësi në menaxhimin e situatës me COVID-19.

“Afër 30 mijë raste me COVID-19 vetëm gjatë këtij muaji. Ky është rezultati i menaxhimit online të pandemisë, është rezultat i qeverisjes së paaftë e cila nxjerr masa joadekuate. Qeveria po neglizhon testimet masive e vaksinimin masiv dhe kujdesin në shkolla”, tha Zemaj.

Zemaj shtoi se e vetmja zgjidhje e kësaj Qeverie është izolimi, që po i dëmton bizneset e qytetarët.

Deputeti i Partisë Demokratike e Kosovës, Memli Krasniqi, tha se është shqetësim i madh që Qeveria e Kosovës nuk po shqetësohet për situatën e rënduar me COVID-19.

“Kjo Qeveri ka bërë dy gabime themelore në menaxhimin e pandemisë: ose ka hezituar për të lexuar situatën për të injoruar atë, ose e ka lexuar situatën gabimisht. Kur hezitojnë të lexojnë, ata hezitojnë të veprojnë në kohë, e kur e lexojnë gabimisht veprojnë jo me plan, po me impuls”, tha Krasniqi.

“Për vaksinën e tretë nuk e kam kohën, për PCR nuk i kam 30 euro”

Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, theksoi Krasniqi, ka bërë gabime me masat që ka marrë për frenimin e koronavirusit. Sipas tij, barazia që i është bërë qytetarëve të vaksinuar me ata të pavaksinuarit, ka bërë që ta stimulojë mosvaksinimin.

“Sot kemi mbyllje të qendrave sportive, ngjashëm si për të vaksinuarit si për të pavaksinuarit. Kufizimi i lëvizjes përveç që është i panevojshëm, është edhe jologjik”, tha Krasniqi.

Shemsedin Dreshaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se masat që Qeveria e Kosovës ka marrë, siç është kufizimi i lëvizjes nuk ndihmon në parandalimin e përhapjes së COVID-19.

“Shteti përmes aparateve të veta duhet të veprojë me masa sanksionuese për mosrespektim të masave, e jo duke i ashpërsuar me masa shtesë. Shkurtimi i orarit të gastronomisë dhe kufizimi i lëvizjes më tepër i kontribuojnë uljes së shpenzimit të energjisë elektrike sesa menaxhimit të pandemisë. Nuk luftohet pandemia me kufizim të lëvizjes, por me masa shëndetësore”, tha Dreshaj, infektolog.

Ai i rekomandoi Qeverisë së Kosovës që të testojë më shumë qytetarë dhe të hapë më shumë pika të vaksinimit.

“Vaksinimi masiv është dalja nga situata, numri aktual i të vaksinuarve brenda 24 orëve është shumë i ulët”, tha ai, duke rekomanduar që vaksinimi të bëhet obligativ, në veçanti për institucionet publike.

Fatmire Kollçaku, deputete nga Lëvizja Vetëvendosje, i quajti fjalimet e deputetëve të opozitës me tendencë politike. Sipas saj, opozita është e pakënaqur me gjithçka që bën Qeveria.

“Sjellja e partive politike karshi gjithë kësaj po bëhet për qëllime politike, jo për ruajtjen e shëndetit të qytetarëve”, tha Kollçaku.

Në Kosovë nga data 22 janar janë në fuqi masat e reja për luftim të pandemisë së koronavirusit.

Masat e reja të Qeverisë së Kosovës ishin marrë pas rritjes së numrit të rasteve të infektimit.

Me masat e reja është kufizuar qarkullimi ora 22:00 deri në orën 05:00. Bizneset e gastronomisë zhvillojnë aktivitetin e tyre nga ora 05:00 deri më 21:00. Muzika në këto biznese lejohet deri në orën 20:30.

Sa i përket procesit mësimor, në vendim është thënë që të gjitha institucionet e arsimit parauniversitar duhet të zhvillojnë mësimin sipas skenarëve të përcaktuara më herët, varësisht prej gjendjes nëpër klasa.

Skenari A ka të bëjë me zhvillimin e mësimit në ambientet shkollore. Skenari B, apo mësimi i kombinuar përfshin rikthimin e pjesshëm të nxënësve në shkolla (prezencë e nxënësve në shkolla, e kombinuar dhe me mësimin në distancë) dhe skenari C është mësimi në distancë apo online.

Sa u përket institucioneve të arsimit të lartë, në vendim është thënë se mësimi mund të zhvillohet me prani fizike, me kusht që grupet mbi 50 persona të akomodohen në jo më shumë se 50 për qind të hapësirës.

Deri më tani, të vaksinuar plotësisht, me dy doza të vaksinës janë 832,020 persona.

Në Kosovë, të gjithë personat nga mosha 12-vjeçare mund të vaksinohen kundër koronavirusit. Dozën përforcuese dhe atë të tretë mund ta marrin të gjithë personat mbi 18 vjeç që janë imunizuar me dy doza para tre muajsh.