Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë qasje të njëjtë lidhur me zgjidhjen e krizës midis Ukrainës dhe Rusisë përmes diplomacisë, ka deklaruar shefi i diplomacisë evropiane,
Komentet e Borrellit vijnë pasi Shtetet e Bashkuara refuzuan kërkesën e Moskës që Ukrainës t’i ndalohet anëtarësimi në aleancën ushtarake, NATO.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, përmes një letre njoftoi më 26 janarpër refuzimin e kërkesave ruse, por ofroi atë që ai e quajti “rrugë serioze diplomatike” për të dalë nga kriza.
Perëndimi ka shprehur shqetësimin se Rusia është duke u përgatitur për një pushtim të mundshëm të Ukrainës, pasi ka grumbulluar mijëra forca pranë kufirit të këtij shteti.
“Mirëpres përgjigjen e shkruar të sekretarit Blinken për propozimet e sigurisë së Rusisë. Rruga diplomatike është e vetmja zgjidhje afatgjatë për qytetarët e Ukrainës dhe qytetarët e Evropës. I bëj thirrje Rusisë që ta pranojë. BE-ja dhe SHBA-ja janë të bashkuara në qasjen tonë të përbashkët”, ka shkruar në Twitter, shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell.
Rusia ka thënë se do të analizojë përgjigjen amerikane, e cila është dërguar në koordinimin me NATO-n.
Blinken: Pasoja masive për Rusinë nëse pushton Ukrainën
Blinken më 26 janar po ashtu bisedoi lidhur me Ukrainën edhe me ministrin e Jashtëm kinez, Wang Yi. Në këtë bisedë u tha se është theksuar çështja e sigurisë botërore dhe rreziqet ekonomike që mund të shkaktohen në rast të një agresioni rus, tha Departamenti amerikan i Shtetit.
Rusia ka grumbulluar mbi 100,000 trupa në kufi me Ukrainën, ka thënë inteligjenca perëndimore. Në zonën kufitare, Moska ka zhvilluar një sërë stërvitjesh ushtarake, duke rritur shqetësimin se mund të jetë duke u përgatitur për një sulm të ri, pasi Rusia më 2014 aneksoi Gadishullin ukrainas të Krimesë.
Moska po ashtu mbështetë luftëtarët separatistë që po luftojnë me forcat ukrainase në lindje të Ukrainës. Që prej prillit të vitit 2014, kur shpërtheu konflikti në lindje të Ukrainës, janë vrarë mbi 13,200 persona.
Kremlini, që mohon se ka plane për ta sulmuar Ukrainën, ka thënë se e sheh NATO-n si kërcënim të sigurisë dhe ka kërkuar garanci ligjore që aleanca ushtarake perëndimore nuk do të zgjerohet më tej drejt lindjes, përfshirë edhe në Ukrainë. Por, Uashingtoni dhe NATO kanë thënë se disa prej kërkesave ruse janë të papranueshme.
Blinken u tha gazetarëve se SHBA-ja është e hapur për dialog, por e bëri të “qartë se ka parime thelbësore që ne jemi të përkushtuar që t’i mbështesim dhe t’i mbrojmë, duke përfshirë sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe të drejtën e shteteve për të zgjedhur vetë marrëveshjet dhe aleancat e tyre të sigurisë”.
“Nuk ka asnjë ndryshim, nuk do të ketë asnjë ndryshim”, tha ai.