Këshilli Prokurorial i Kosovës thotë se përparimi i Kosovës në luftën kundër korrupsionit që u publikua dje në raportin e organizatës Transparancy International ka vërtetuar se prokurorët, anëtarët e KPK-së dhe sistemi prokurorial kanë realizuar objektivat në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
KPK përmes një komunikate për media ka reaguar ndaj një emisioni televiziv për deklaratat e panelistëve ndaj Këshillit Prokurorial të Kosovës, .
“Këshilli, vlerëson se deklarimet dhe konstatimet e bëra në këtë emision kanë pasqyruar para opinionit publik një gjendje joreale lidhur me angazhimet e vazhdueshme të prokurorëve, anëtarëve të KPK-së dhe udhëheqësve të sistemit prokurorial për realizimin e mandatit dhe objektivave të tyre në luftën kundër krimit, korrupsionit dhe të gjitha dukurive të tjera kundërligjore, gjë që u vërtetua pikërisht këto ditë edhe nga organizata ndërkombëtare, “Transparency International”, e cila theksoi se Kosova ka shënuar përparim në luftën kundër korrupsionit”, thuhet në reagim.
Reagimi i plotë i KPK-së:
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) reagon ndaj deklaratave të pjesëmarrësve të emisionit “Tempus” me temën: “Gara për Kryeprokuror të Shtetit”, i transmetuar mbrëmë më 25 janar 2022, në Kohavision (KTV).
Këshilli Prokurorial i Kosovës, vlerëson që në deklarimet e panelistëve të këtij emisioni ka pasur shumë të pavërteta dhe deklarime joprofesionale, të ulëta dhe qëllimkëqija në raport me sistemin prokurorial të Kosovës.
Këshilli, vlerëson se deklarimet dhe konstatimet e bëra në këtë emision kanë pasqyruar para opinionit publik një gjendje joreale lidhur me angazhimet e vazhdueshme të prokurorëve, anëtarëve të KPK-së dhe udhëheqësve të sistemit prokurorial për realizimin e mandatit dhe objektivave të tyre në luftën kundër krimit, korrupsionit dhe të gjitha dukurive të tjera kundërligjore, gjë që u vërtetua pikërisht këto ditë edhe nga organizata ndërkombëtare, “Transparency International”, e cila theksoi se Kosova ka shënuar përparim në luftën kundër korrupsionit.
Po ashtu, lidhur me procesin e zgjedhjes së Kryeprokurorit të ri të Shtetit, opinioni publik është dezinformuar, ngase Këshilli Prokurorial i Kosovës që nga dita kur ka marrë vendim për shpalljen e konkursit ka qenë transparent dhe i hapur, ku të gjitha procedurat janë zhvilluar në transparencë të plotë para partnerëve ndërkombëtarë dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile. Po ashtu, vazhdimisht është bërë thirrje për monitorim të këtij procesi.
Lidhur me konstatimet e raporteve me Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, KPK-ja rithekson falënderimet dhe vlerësimet për mbështetjen e vazhdueshme që ka nga kjo ambasadë mike, ndërsa njofton opinionin publik se raportet e bashkëpunimit me Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë janë duke vazhduar dhe do të vazhdojnë me synimin për thellimin e tyre.
Në fund, KPK-ja duke vlerësuar dhe respektuar lirinë e shprehjes dhe mendimit, kërkon që kjo liri të mos keqpërdoret përmes deklarimeve të pavërteta dhe denigruese ndaj prokurorëve, anëtarëve të KPK-së dhe sistemit prokurorial në përgjithësi.