Nominimi i Dardan Sejdiut “përçan” PDK-në në Prishtinë

Nominimi i Dardan Sejdiut për nënkryetar të Komunës së Prishtinës, ka zgjuar reagimin e një pjese të anëtarësisë së Partisë Demokratike të Kosovës në Prishtinë.

Ish-nënkryetari i Komunës së Prishtinës, deri para tri vitesh pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje, është raportuar si i nominuar i një krahu të PDK-së, Dega në Prishtinë, për nënkryetar të kryeqytetit në qeverisjen e Përparim Ramës.

Nominimi i raportuar i tij për pozitën e të dytit të kryeqytetit, ka përçarë anëtarësinë e PDK-së. Një pjesë e anëtarësisë së degës, ka dal haptas kundër propozimit.

Anëtari i PDK-së në Prishtinë, Bujar Cakolli, i ka cilësuar “paradoksale” lëvizjet e fundit brenda degës. Ka përmendur kohën kur ai, në cilësinë e zyrtarit të PDK-së, ka ushtruar kallëzim penal kundër Sejdiut.

“Çfarë paradoksi, jo më larg se para 4 viteve, pata kallëzuar penalisht në Prokurorin Speciale ish krerët e komunës për abuzim dhe keqpërdorim të pushtetit. E sot pikërisht të njëjtit po tentohet të instalohen në Prishtinë si përfaqësues të PDK-së!”, ka thënë Cakolli, në një deklarim në Facebook.