Bashkimi Evropian ndihmon Ukrainën me 1.2 miliardë euro

Bashkimi Evropian ka nisur një paketë të re ndihme financiare për Ukrainën në vlerë prej 1.2 miliardë euro, deklaroi për median presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen.

Von der Leyen bëri të ditur se ndihma do të jetë e disponueshme menjëherë.

“Ukraina është një shtet i lirë dhe sovran dhe BE-ja është në krah të saj dhe e vendosur për zgjidhjen e krizës. Ndihma do të jetë e disponueshme menjëherë”, ka thënë ajo.

Presidentja e KE-së tha se paketa e ndihmës do të jetë e përbërë nga kredi dhe subvencione, ku në fazën e parë, do të jetë prej 600 milionë euro, raporton atsh.

“BE ka ofruar ndihmë të konsiderueshme që nga viti 2014, pothuaj 17 miliardë euro në Ukrainë, në mbështetje të modernizimit të saj, por edhe posaçërisht për të luftuar COVID-19”, shtoi presidentja.

“Për më tepër, këtë vit Komisioni do të vazhdojë dyfishimin e asistencës në grante prej 120 milionë eurosh”, përfundoi ajo.