Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë e Inovacionit, Arbërie Nagavci, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka uruar Ditën Ndërkombëtare të Arsimit.
Nagavci ka thënë se arsimi dhe edukimi janë procese të pandalshme dhe çelës për të hapur dyert e një jete të suksesshme për secilin e për zhvillimin e çdo shoqërie.
Sipas saj, edhe sivjet kjo ditë i gjen nxënësit, mësimdhënësit e shkollat duke u ballafaquar me shumë sfida për shkak të pandemisë. Por, sipas saj, “puna po vazhdon e sfidat do t’i tejkalojmë”.
“Do ta bëjmë më të mirën për shkollarët tanë e për mësimdhënësit do të ofrojmë mbështetjen e nevojshme që bashkërisht të arrimë rezultate sa më të mira”, ka shkruar tutje Nagavci.
Sipas Nagavcit, kjo qeveri arsimin e ka parakusht për zhvillim.
“Për Qeverinë tonë arsimi është parakusht për zhvillim, andaj po punojmë me përkushtim, me plane e aktivitete konkrete, që sistemi ynë të përmirësohet në të gjitha nivelet e të gjitha sferat e arsimit”, ka vazhduar ajo.
Ministrja tutje tha se synojnë rritjen e përfshirjes së fëmijëve në edukimin e hershëm dhe janë duke punuar që fëmijëve me nevoja të veçanta dhe komuniteteve t’u ofrojnë jo vetëm gjithëpërfshirje, por edhe mundësi të barabarta.