Kusari: Liberalizimi i tregut të energjisë është i pashmangshëm

Mimoza Kusari-Lila, ushtruese detyre e shefes së grupit parlamentar të Vetëvendosjes, pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë së Kuvendit të Kosovës, ka njoftuar se edhe të mërkurën e të enjten do të mbahen seanca.

E merkura do të jetë vazhdim i seancave të pambylluar dhe do të mbahet në ora 14, ndërkaq ajo e së enjtes do të jetë seancë e jashtëzakonshme e thirrur nga opozita në ora 11.

Sipas Kusarit, opozita për seancën e saj të jashtëzakonshme ka deklaruar të pavërteta, pasi, sipas saj, “që në kërkesë ka thënë se çmimi i energjisë elektrike do të rritet për amvisëri dhe biznese dhe do të ketë efekt zinxhiror në rritjen e çmimit të produkteve gjë që është e pavërtetë, pasi nuk është vendim përfundimtar siç ka thënë edhe ZRRE”.

Kusari foli edhe për liberalizimin e tregut të energjisë për të cilën tha se është proces i pashmanshëm.

“Liberalizimi i tregut të energjisë, ky është një proces në të cilin Kosova ka obligime nga sekretariati i komunitetit të energjisë me të gjitha vendet e rajonit dhe është e pashmangshme, nuk ka të bëjë me kontratën e KEDS-it, kjo ka të bëjë me rregullat në sektorin e energjisë të cilat janë uniforme për të gjitha vendet e rajonit”, ka thënë Kusari.

Në Kosovë, Kusari tha se nuk ka pasur kushte që të liberalizohet tregu pa një kosto tepër të madhe te bizneset dhe te konsumatorët.

“Ajo çka jemi angazhuar ka qenë prilli i vitit të kaluar ku më 1 prill ka qenë data kur Kosova do të duhej të lëshonte në treg të liberalizuar të gjitha kompanitë dhe konsumatorët e mesëm që konsumojnë energji elektrike, atëherë ka qenë kërkesë e të gjitha organizatave të bizneseve që kjo mos të ndodhë, pasi çmimi do të rritej prej 30 në 40 për qind, e njëjta ndodhi edhe në Shqipëri proces të cilin ajo e shtyu për gjashtë muaj nëmënyrë që të mos i dëmtojë konsumatoret… Është proces i pashmangshëm duhet të përgatitemi gjitha masat e nevojshme përfshirë edhe gjitha kompanitë e licencuara për të ofruar energji elektrike, por që ende nuk kanë arritur ta sigurojnë këtë energji. Jemi aktualisht në një krizë të përgjithshme për energji ne besojmë se edhe me aktivizimin e operimit të energjisë Kosovë – Shqipëri, ALPEX-it, ku hyn edhe Kosova do të krijohen kushte më të volitshme në muajt apo vitet në vijim që edhe Kosova ta përmbushë kërkesën për të dalë në treg të liberalizuar, nga tregu i rregulluar që funksionon në vend”, ka thënë Kusari-Lila.