Deklarimi i tatimeve dhe kontributeve nga 1 shkurti bëhet online

Administrata Tatimore e Kosovës, ka njoftuar tatimpaguesit se nga data 1 shkurt 2022, deklarimi i të gjitha Tatimeve dhe Kontributeve të aplikuara në Kosovë, do të bëhet vetëm në mënyrë elektronike përmes Sistemit Elektronik EDI.

Përmes një komunikate bëhet e ditur se Sistemi Elektronik EDI është plotësisht funksional dhe është vlerësuar lartë, si nga komuniteti i biznesit, ashtu edhe nga palë të tjera të interesit.

Sipas ATK-së, deri më tani, 98% e të gjithë tatimpaguesve potencial për të deklaruar Tatime dhe Kontribute në Kosovë, deklarojnë përmes Sistemit Elektronik EDI.

“Për të gjithë tatimpaguesit, të cilët ende nuk janë regjistruar në Sistemin Elektronik EDI, Administrata Tatimore e Kosovës, ju bën thirrje që të regjistrohen sa më parë dhe të përdorin këtë sistem për deklarim. ATK, që nga data 01 Shkurt 2022 do të ndërpresë mundësinë e shkarkimit të formularëve elektronik për Tatime dhe Kontribute dhe këto do të mund të deklarohen vetëm përmes Sistemit EDI”, thuhet tutje në njoftim.

Sipas ATK-së përparësitë e Sistemit Elektronik – EDI, janë:

Reduktim i dokumenteve;

Reduktim i raporteve periodike;

Kursim i kohës dhe kostos;

Deklarim i tatimeve në çdo kohë – 24 orë në ditë;

Pagesa on-line në çdo kohë – 24 orë në ditë;

Reduktim i vizitave të shumta në zyrat e ATK-së;

Dorëzim i menjëhershëm, i besueshëm dhe i sigurt;

Procesim i shpejtë dhe i saktë i deklaratave;

Qasje në historinë e deklarimeve;

Kontrollim i historisë dhe bilancit tatimor, etj.