Ferat Shala: Raporti i ZRRE-së duhet të kthehet në pikën zero

Raporti i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë me propozimet për tarifat e reja më 25 janar do të shkojë në komisionin parlamentar për Ekonomi.

Kryetari i këtij komisioni, Ferat Shala, i cili vjen nga PDK ka thënë se raporti përmban shumë pasaktësi duhet shtuar se duhet të hidhet poshtë.

“Raporti hedh një grumbull statistikash që nuk sqarojnë punën mbi të cilën do të duhej të bëhej raporti. Ngritja e çmimit të rrymës është e papranueshme. Rritja është me përmasa të dëmshme dhe konsiderojmë që raportin duhet të kthehet në pikën zero”, është shprehur Shala për emisionin Portofol në Klan Kosova FM.

Shala më tej ka thënë se ZRRE dhe qeveria e kanë përpiluar bashkë raportin, që thekson se është e jashtëligjshme.

“Raporti nuk është i pavarur. ZRRE nuk është e pavarur. Na draftraportin preliminar janë kalkulimet e qeverisë dhe kjo është shkelje ligjore. ZRRE do të duhej ta binte raportin e saj dhe kuvendi dhe qeveria të votonin. Është bërë në koordinim me qeverinë. Kjo është shkelja ligjore”.

“Raporti ka segregacion për kategori sociale dhe biznesore. Çmimet e ngritura e rëndojnë prodhimin vendor, transportin dhe shërbimet tjera dhe do të ketë dyfishim apo trefishim të inflacionit sepse kostoja do ta rëndojë në gjithë zinxhirin e shportës së qytetarëve”, ka thënë ai ndër të tjera.