E pranon Qeveria Kurti: Jo vetëm rryma, janë rritur edhe çmimet e ushqimeve por s’kemi çka të bëjmë

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari e ka pranuar se ka ngritje edhe të çmimeve të produkteve të konsumit.

Hajdari në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se një gjë e tillë po ndodhë për shkak të luhatjeve të çmimit të naftës.

“Është vërejtur se ka pasur rritje të çmimeve të konsumit, por kjo ka ndodhë për shkak të luhatje të çmimit të naftës. Kosova si vend importues nuk kishte si ti ikte kësaj krize, meqenëse Kosova varet nga importet e përditshme dhe inflacionin. Rritja e çmimeve në tregun e Kosovës qoftë për produktet ushqimore, bujqësore apo industriale, është për shkak të ngritjes së çmimeve në nivelin global”, ka thënë ajo.

Vlen të përmendet se nga shkurti qytetarët do të paguajnë më shumë për energjinë elektrike që e shpenzojnë, kjo pas propozimit të ZRrE-së.

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) në Kosovë i ka ndarë konsumatorët në pesë kategori: A, B, C, D dhe E.

Nëse jeni në kategorinë A dhe shpenzoni deri në 300kWh, fatura aktuale e juaja është 19.97 euro, por me rritjen e çmimit të energjisë elektrike ajo do të bëhet 20.40 euro.

Nëse jeni në kategorinë B, ju shpenzoni 450 kWh dhe fatura e juaj aktuale është 27.37 euro, tani do të bëhet 29.66 euro.

Nëse shpenzoni deri në 600 kWh, jeni në kategorinë C dhe fatura e juaj aktuale është 35.86 euro, me çmimet e reja, ajo bëhet 38.92 euro.

Nëse jeni në kategorinë D, ju shpenzoni deri në 800 kWh, fatura aktuale është 47.19 euro, por me rritjen e çmimit fatura bëhet 74.17 euro.

Nëse jeni në kategorinë E, ju shpenzoni deri në 1000kËh dhe fatura aktuale është 58.52 euro, ndërsa me rritjen e çmimit, fatura bëhet 109.42 euro