Gjatë ditës së sotme, është mbajtur mbledhja e Komitetit për koordinim dhe vlerësimin e situatës epidemiologjike lidhur me COVID-19 në Kosovë.
Siç ishte paralajmëruar, në këtë takim ishte planifikuar diskutimi i mundësisë për vendosjen e masave të reja pas rritjes enorme të rasteve me COVID-19.
Nga objekti i Qeverisë të enjten në mëngjes pas mbledhjes janë parë duke dalë ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ai i Brendshëm, Xhelal Sveçla dhe ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi.
Ky i fundit në një adresim për medie pas takimit ka thënë se masat do të rishikohen dhe se ende janë duke u diskutuar.
Ai nuk ka dhënë detaje duke thënë se kanë diskutuar të mbyllen lokalet në orën 22.
Ndërkaq, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se shteti ka interesim që t’i mbajë shkollat hapur, pavarësisht rritjes së rasteve pozitive te fëmijët. Ajo ka bërë të ditur se sot gjatë ditës do të mblidhet task-forca e kësaj ministrie për të diskutuar për situatën e krijuar dhe nesër prapë do të ketë takim.
Vetëm të mërkurën u regjistruan 2050 raste të reja pozitive, duke e vazhduar trendin ngritës. Aktualisht janë mbi 7200 raste aktive me COVID-19.