Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka mbajtur një konferencë për media sot ku ka folur për shtrenjtimin e rrymës.
Si zakonisht, Kurti ua ka lënë fajin partive që kanë qenë në pushtet “në 20 vitet e kaluara”.
“Për fat të keq kemi ndëgjuar interpretime të ndryshme që nuk kanë pasur qëllim informimin e drejtë të qytetarëve. Si pasojë e krizës globale energjetike që ka shkaktuar shtrenjtim të energjisë në nivele të papara, dhe si pasojë e avarive, ZRrE në bazë të kompetencave ka filluar me shqyrtimin e jashtëzakonshëm të tarifave. ZRrE është e pavarur dhe ligjërisht s’mund të ndikohet as nga Qeveria. Me vite janë mbajtur kosto fiktive për qëllime elektorale. Heqja e bllok tarifave ka qenë gabim i madh. Kjo krizë vetëm sa i ka theksuar faturat e më se dy dekadave. Jemi duke ndjerë mungesën e investimeve. Institucionet kanë dështuar që të thonë se varësia nga ngrohja me rrymë nuk është e qëndrueshme si praktikë. Kanë aprovuar ndërtimin e mijëra banesave që tani varen nga energjia”, tha ai.
Para se Kurti t’ua linte fajin partive të pushteteve të kaluara, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku e kishte parashikuar se kryeministri do ta bënte një gjë të tillë.
Madje ai këtë e kishte bërë hiç më larg se para 20 orësh.
“Jam i bindur, natyrisht, se edhe këtë herë do të gjejnë një fajtor diku në 20 vjet. Por s’ka gjë që mund ta mbulojë këtë jokompetencë. S’ka gjë që mbulon barrën financiare që po ja vënë familjeve kosovare”, kishte shkruar dje Abdixhiku.