Kosova pritet të përballet me krizë energjetike së paku deri në fund të marsit. Por, pavarësisht se situata mund t’i kthehet normalitetit pas mbi dy muajsh, konsumatorët që shpenzojnë mbi 600 kWh energji do të paguajnë më shtrenjtë për rrymën deri në mars të vitit të ardhshëm, nëse miratohen tarifat e reja. Për krizën energjetike dhe masat që janë ndërmarrë për tejkalimin e kësaj situate, janë deklaruar nga ZRRE’ja.
Kthimi i reduktimeve pas dhjetë vjetësh, ishte veprimi i parë që dëshmoi krizën energjetike në vend. Këto kufizime të energjisë zgjatën rreth dy javë.
Pikërisht, kur u mendua se situata po i kthehet normalitetit, Zyra e Rregullatorit të Energjisë doli me propozim për rritjen e tarifave.
Nëse miratohen këto tarifa, konsumatorët që harxhojnë mbi 600 kWh energji do të përballen me shtrenjtim të energjisë.
Por, deri kur do të vazhdojë kjo krizë?
Nga Zyra e Rregullatorit për Energji e kanë përmendur fundin e marsit, si afat kur mund t’i kthehet normalitetit situata energjetike.
Petrit Pepaj nga ZRRE i ka thënë Gazetës Express se çmimet e energjisë mund të mos shënojnë rënie deri para fundit të tremujorit të parë të këtij viti.
“Çmimi mesatar javor i Tregut një-ditë-para në Bursën Hungareze të Energjisë (HUPX), një treg i referuar zakonisht për rajonin për shkak të likuiditetit dhe afërsisë gjeografike, arriti në 376,44 EUR/MWh në javën e 51-të të 2021. Krahasuar me mesataren për javën e parë të vitit 2021 (62.02 EUR/MWh), kjo paraqet një rritje prej 563%. Rritje të ngjashme pati në bursa të tjera evropiane të energjisë, ku shumica e parashikimeve sugjerojnë se nivelet e çmimeve ka gjasa të mos bien ndjeshëm para fundit të tremujorit të parë të 2022”, ka deklaruar Pepaj.
Ai ka folur edhe për faktorët që kanë çuar në rritjen e çmimeve. Thotë se prej këtyre faktorëve, sipas studimeve, është edhe rritja e kërkesës së përgjithshme për energji që ka të bëjë me rimëkëmbjen nga pandemia COVID-19.
“Gjysma e dytë e vitit 2021 u karakterizua me një rritje të shpejtë të çmimeve në tregjet evropiane të energjisë. Gjetjet e hulumtimeve të kryera në Evropë sugjerojnë se kjo është nxitur nga një numër faktorësh. Rritja e kërkesës për gaz natyror nga Azia dhe rezervat e ulëta të stoqeve në Evropë çuan në një rritje të ndjeshme të çmimeve të gazit natyror. Meqenëse termocentralet me gaz janë zakonisht termocentralet margjinale që nevojiten për të mbuluar kërkesën në tregjet e energjisë elektrike, rritja e çmimeve të gazit natyror rezultoi në një rritje të ngjashme të çmimeve të energjisë elektrike. Studimet identifikojnë faktorë të tjerë të rëndësishëm si rritja e kërkesës së përgjithshme për energji që ka të bëjë me rimëkëmbjen nga pandemia COVID-19, të cilat gjithashtu kontribuuan në rritjen e çmimeve”, kanë deklaruar nga ZRRE.
E për të tejkaluar këtë situatë, nga ky institucion tregojnë masat që kanë ndërmarrë. Një prej këtyre masave thonë se është procesi i shqyrtimit të jashtëzakonshëm të tarifave.
“ Shqyrtimet e Jashtëzakonshme ndodhin kur ka ndryshim në mes të vlerave të parashikuara dhe të realizuara të parametrave të përcaktimit të tarifave, që tejkalon një prag materialiteti prej të paktën 5%. Shqyrtimet e jashtëzakonshme kërkojnë një ndërhyrje rregullatore për përditësimin e parametrave tariforë në mënyrë që të sigurohet që të ardhurat që gjenerohen përmes tarifave të miratuara të mbulojnë plotësisht kostot e arsyeshme të ofrimit të shërbimit të rregulluar për konsumatorët”, ka deklaruar Pepaj.
Të pyetur se pse kanë vendosur që t’i ulin parametrat që ia ulin direkt të hyrat KESCO’s dhe tërë sistemit elektroenergjetik në kohë krize, nga ZRRE kanë thënë se ky proces është dashur të përmbyllet në fund të muajit mars 2021.
Sipas tyre kjo s’ka ndodhur, meqenëse bordi s’ka qenë funksional.
“Menjëherë pas plotësimit të Bordit, ZRRE ka vazhduar me procesin e shqyrtimit të vlerave hyrëse dhe OPEX për KESCO. ZRRE, në bazë të aplikacionit të KESCO-s të datës 1 nëntor 2021, ka përgatitur raportin konsultativ më 25 nëntor 2021. Raporti konsultativ përmbante vlerësimin fillestar të ZRRE-së ndaj aplikacionit të KESCO lidhur me vlerat hyrëse dhe OPEX . Të gjitha kalkulimet bazohen në të dhënat historike 2017- 2021, dhe janë marrë praktikat rregullatorë të vendeve në regjion dhe BE ,ndërsa periudha tjetër vijuese është parashikuar”, kanë deklaruar nga ky institucion.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka njoftuar të martën se zoton 75 milionë euro si ndihmë për qytetarët dhe bizneset për t’i përballuar çmimet e reja të energjisë elektrike.
Por, një lajm i keq nga qeveria erdhi për ata që e kanë të vetmen mënyrë të ngrohjes energjinë elektrike dhe që shpenzojnë më shumë se 600 kËh në mauj, ndërsa ata që janë nën këtë limit do të paguajnë siç kanë bërë deri tash.
“Subvencioni i energjisë elektrike nga ana e Qeverisë do të ndikojë që tarifa për konsumatorët biznesor mbetet me 0% rritje, tarifa për konsumatorët shtëpiak deri në konsumin prej 600 kËh mbetet me 0% rritje, ndërsa tarifa e propozuar nga ZRRE për konsumatorët shtëpiak për konsumin mbi 600 kËh të reduktohet, duke pasqyruar çmimin e importit për këta konsumatorë dhe promovuar efiçiencën e energjisë”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Ekonomisë.
Sipas propozimit të ZRRE’së, tarifa për konsumatorët me 800 kËh rrymë të shpenzuar në muaj do të rritet në vlerë prej 13.31 eurosh, derisa konsumatorët që shpenzojnë 1000 kËh rrymë në muaj, do të përballen me një rritje prej 24.62 euro të çmimit të rrymës.
Nëse këto tarifa miratohen, do të fillojnë të aplikohen nga 1 shkurti deri më 31 mars të vitit 2023.
“Në një proces të ndarë të shqyrtimit të jashtëzakonshëm, të publikuar në ueb-faqen e ZRRE-së krahas këtij raporti, ZRRE ka vlerësuar se të Hyrat Maksimale të Lejuara që mbulojnë kostot e arsyeshme të shërbimit me energji elektrike janë €446.7 milionë. Kjo pjesë e raportit konsultativ ofron propozimin e ZRRE-së për nivelin e tarifave të energjisë elektirke që do të jenë të aplikueshme për periudhën 1 shkurt 2022-31 mars 2023 për të mbluar nivelin e kostove të arsyeshme…”, thuhet në raport.