Arsyetimi i Kurtit për ngritjen e çmimit të rrymës: Dikush duhet të paguajë

Sipas tij, energjia e importuar është shumë e shtrenjtë dhe se rrugëdalja e vetme për këtë është rritja e tarifave dhe subvencioneve. Teksa më herët Kurti përmendte zgjidhjen mes rritjes së tarifave dhe reduktimeve, tash këtë të dytën ai e ka eliminuar duke thënë se “e pamë sa të dëmshme janë”.

“Jemi në situatë ku rritja e tarifës dhe subvencioneve është e vetmja rrugë përpara”, ka thënë Kurti në konferencën për media.

Ai ka treguar se vetëm një ditë më herët në Kosovë energjia e importuar kapi vlerën e 2.3 milionë eurove. “Dikush duhet ta paguajë”, ka thënë përsëri ai.

Kurti ka fajësuar edhe një herë ish-qeveritë për dështim në energji. Sipas tij, po të dëgjohej Vetëvendosje më herët me propozimet e saj, “tash s’do të kishim këtë hall sot”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në konferencë për media ka folur për propozimin e ZRRE-së për rritjen e tarifave për energji elektrike e po ashtu edhe për 75 milionë euro që ka ndarë Qeveria për të subvencionuar energjinë elektrike.Kurti në konferencë për media ka thënë se heqja e blloktarifave ka qenë gabim i madh dhe se janë ndjerë dëmet gjatë viteve. Kurti ka thënë se pavarësisht se ZRRE ka obligim në reflektim të vërtetë të çmimit të energjisë, me vite janë mbajtur kosto fiktive.

“Fatura që po e paguajmë është ajo e mosveprim prej mëse dy dekadave në zhvillimin e qëndrueshëm të furnizimit me energji elektrike. Po e ndjejmë po ashtu vjetërsinë e mungesën e investimit në njësi gjeneruese. Institucionet kanë dështuar në të kaluarën që të japin sinjalin se varësia për t’u ngrohur nga energjia elektrike nuk është e qëndrueshme si praktikë. Për të kufizuar nivelin e dëmeve që këto praktika kanë shkaktuar, Qeveria ka shprehur gatishmërinë të vë në dispozicion 75 milionë euro për subvencionim në sektorin e energjisë. Për të siguruar që konsumatorët familjarë që konsumojnëd deri në 600 kilovat në orë për mua dhe të gjithë konsumatorët biznesorë të mos kenë rritje tarife”, tha Kurti.

Kurti ka kritikuar qeveritë e kaluara për mungesë të investimeve e keqpërdorime.

“Edhepse në KEK nga paslufta ka investuar më shumë se 1 miliard euro, gjendja e kapaciteteve prodhuese është e njëjtë si ajo kur dolëm paslufta. Në këto investime po të mos vjedhej pamëshirshëm, siç është bërë me tenderë të shumtë, sot gjendja e KEK-ut do të ishte ndryshe se nuk dot ë kishte rënie të vazhdueshme të blloqeve siç po ndodh”, ka thënë Kurti.

Ai ka shtuar se po të ishte bërë rindërtimi i Kosovës A apo të ishte investuar në kapacitete të reja, kjo krizë do të mund të ishte shfrytëzuar nga Kosova për të pasur përfitime duke eksportuar energji.

Ai ka thënë se do të shpallen ankandet e para për ndërtim të kapaciteteve të reja të energjisë.

Ndërkohë, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se subvencionimi prej 75 milionë eurove ishte zgjidhja më e mirë që mund të bëhej për qytetarët në këto momente.

Sipas Rizvanollit, subvencionimi do të zbusë dukshëm rritjen e tarifave të kërkuara nga ZRRE-ja. Ministrja bëri të ditur se rritja tarifës së lartë 0.21, me subvencionim do të bëhet 0.14, ndërsa tarifa e ultë nga 0.09 në 0.06.

“ZRRE ka marrë një vendim nën presion politik në vitin 2021, duke hequr bllok tarifën. Vendimi i ZRRE nuk është final, por është në diskutim publik. Ne mund t’iu kërkojmë ndryshime. Kostot e importit dhe sektorit janë rritur shumë. Subvencionimi është i nevojshëm në këto rrethana. Për konsumatorët që harxhojnë nën 600 kWh çmimi do të mbetet i njëjtë, ata që harxhojnë mbi 600 kWh, subvencionimi do të zbusë dukshëm rritjen tarifore. Tarifa e lartë do të bëhet nga 0.21 në 0.14 cent, ndërsa tarifa e ultë nga 0.09 në 0.06. Subvencionimi ka për qëllim mbrojtjen e konsumatorëve të ndjeshëm, konsumatorëve në nevojë. Tani për tani, zgjidhjen më të mirë e kemi gjetur me subvencionim”, ka thënë Rizvanolli.