Kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj bashkë me nënkryetaren Vjollca Shala dhe koordinatorin për organizim të brendshëm Ymer Ymeri janë takuar në ambientet e Parlamentit të Kosovës me shefin e Grupit Parlamentar të LDK-së, z. Arben Gashi. Ata i kanë treguar se janë takuar edhe me shefat tjerë të subjekteve politike parlamentare për të bashkëbiseduar për situatën në arsim dhe për të kërkuar përkrahjen nga deputetët e këtyre subjekteve politike që kërkesat e drejta e legjitime të anëtarësisë së SBASHK-ut të gjejnë zgjidhje me dialog e debat në kuadër të institucioneve të Kosovës.
Ata kanë kërkuar se kërkesat aktuale që kërkojnë zgjidhje janë çështja e Ligjit të pagave, Ligji për sigurimet shëndetësore dhe Ligji për skemat pensionale të financuara nga shteti, gjegjësisht kriteri prej 15 vitesh kontributdhënëse, që po ju paraqet shumë probleme të pensionuarve në sektorët tjerë, por në të ardhmen e afërt do të jetë prezent edhe te një pjesë e punëtorëve të arsimit. Ata kanë kujtuar z.Gashin edhe për kërkesën e përsëritur vazhdimisht nga SBASHK-u lidhur me punëtorët arsimor me sëmundje të rënda dhe i janë lutur atij që të angazhohet bashkë me deputetët tjerë për një zgjidhje të pranueshme për këta punëtorë të arsimit.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së z. Gashi ka deklaruar se është njoftuar me shqetësimet e ngritura që ka bërë SBASHK-u në emër të anëtarësisë dhe se do të bëj gjithë angazhimet bashkë me deputetet nga ky subjekt politik që në kuadër të debatit e angazhimeve në Parlament bashkë me subjektet tjera politike të ndihmohet zgjidhja e këtyre çështjeve.
Të dy palët janë pajtuar që duhet angazhim i përbashkët i të gjitha palëve edhe për ngritjen e vazhdueshme të cilësisë në arsim dhe për krijimin e kushteve më të mirë të punës në sistemin arsimor në mënyrë që shkollat të jenë të pajisura me mjete bashkëkohore të punës dhe që mësimdhënësit të kenë mbështetjen për t’u përgatitur në vazhdimësi për të ecur në hap me kohën.