Vuçiq takon sot Dodik-un dhe përfaqësuesit serbë nga Kosova

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, sot do të zhvillojë takime të ndara me anëtarin serb të kryesisë së BeH, Dodik dhe me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova.

Fillimisht, sipas njoftimit të kabinetit të Vuçiqit, ai do të takohet me Dodik, ndërsa më pas do të mbajë takim me serbët e Kosovës.

Takimi me anëtarin e kryesisë së Bosnjës dhe Hercegovinës, Dodik mbahet pas orës 9.00 në villen “Mir”.

Ndërsa, takimi me serbët e Kosovës do të mbahet në ora 12.00 në presidencën e Serbisë, kurse pas takimit pritet të lëshohet një kumtesë.

Këto takime po vijnë në momentin kur situata në BeH është e tensionuar dhe ku ka kërcënime me sanksione nga BE për etnitetin serb.

Ndërkaq, me serbët nga Kosova do të shqyrtohet situata e sigurisë në Kosovë, posaçërisht në lidhje me referendumin që do mbahet në Serbi me 16 janar, duke marr parasysh se Prishtina e refuzoi çdo mundësi që serbëve në Kosovë, t`iu mundësojë deklarimin për ndryshimet kushtetuese në Serbi.