Mblidhet Këshilli Kombëtar i Shkencës, Myzafere Limani zgjedhet kryetare

Këshilli Kombëtar i Shkencës (KKSh) ka mbajtur mbledhjen e parë konstituive, me ç’rast ka zgjedhur edhe organet drejtuese për punën që do të bëjnë 15 anëtarët e këtij Këshilli në mandatin katërvjeçar. Këshilli ka qenë jofunksional prej vitit 2011 ndërsa Programit Kombëtar të Shkencës i ka skaduar afati prej vitit 2015.

Me votim të fshehtë, ashtu siç e parasheh edhe Rregullorja e punës së Këshillit, kryetare e KKSh është zgjedhur Myzafere Limani, ndërsa sekretare Mihane Kerolli.

Me këtë rast, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci i ka uruar anëtarët për këtë detyrë kaq të rëndësishme që iu është besuar atyre.

Ministrja ka theksuar se KKSh tashmë ka një detyrë të rëndësishme për të arritur synimet e përbashkëta për avancimin e hulumtimit dhe shkencës në Kosovë dhe ndërkombëtarizimin e saj, duke filluar nga hartimi i Programit Kombëtar të Shkencës.

Ministrja Nagavci ka deklaruar se Këshilli do ta ketë mbështetjen e plotë të saj, të MAShTI-t dhe të Qeverisë së Kosovës.

Anëtarët e Këshillit e kanë vlerësuar lart faktin që ministrja Nagavci, krahas politikave për përmirësimin e situatës në arsim, e ka shtyrë edhe procesin e forimimit të KKSh-së, si organ i rëndësishëm për fushëveprimtarinë kërkimore-shkencore në vendin tonë.