Sindikata e Policëve: Të gjithë ata që ngrenë dorë kundër Policisë, të marrin dënimin e merituar

Sindikata e Policëve të Kosovës, ka reaguar ndaj rastit kur një polic në Suharekë u ther me thikë derisa ishte në krye të detyrës.

“Gardianë për mbrojtjen e Republikës së Kosovës brenda kufijve shtetërorë janë Policia e Kosovës, të cilët me përkushtim maksimal duke zbatuar të gjitha Ligjet dhe Autorizimet Policore, janë në gatishmëri 24 orë pa ndërprerë për të mbrojtur dhe ruajtur jetën, pasurinë, rendin dhe qetësinë publike. Prandaj kushdo që sulmon Policinë e Kosovës ka sulmuar Shtetin e Kosovës dhe kjo duhet të konsiderohet si vepër e rëndë penale”, ka njoftuar kjo sindikatë.

Kjo sindikatë thotë se sulmet ndaj zyrtarëve policorë janë shpeshtuar, dhe sipas tyre, kjo ndodh nga persona të cilët kryejnë vepra të ndryshme penale e të cilët sillen vërdallë përkundër asaj se do të duhej të ishin prapa grilave për veprat të ndryshme penale të kryera më parë.

“Një rast i tillë ndodhi me datë 10.01.2022 në Suharekë, ku nga një i dyshuar për dhunë në familje, recidivist i veprave penale, gjatë intervenimit sulmohen zyrtarët policor të cilët marrin lëndime të rënda  trupore. Prandaj, për këtë rast dhe për shumë raste tjera të sulmit ndaj zyrtarëve policor, kërkojmë nga organet e drejtësisë  që për të gjithë ata që ngrenë dorë kundër Policisë së Kosovës të veprohet sipas Ligjit”.

Andaj Sindikata e Policëve thotë se veprimet e organeve të drejtësisë në bazë të ligjit dhe sanksionimit të të gjithë atyre që sulmojnë policin do të ishte preventivë për parandalimin e sulmeve ndaj zyrtarëve policor.