Daçiç: Kam frikë nga presionet për ta njohur Kosovën, por s’ka kompromis

Kryeparlamentari serb Ivica Daçiç tha sot se ka frikë nga presionet politike për ta njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës. Daçiç, duke folur për disa ligje të cilat,sipas tij Serbia po i harmonizon me Bashkimin Evropian, u ndal të flasë edhe për Kosovën, arritja e një marrëveshjeje përfundimtare me të cilën përmendet gjithmonë si parakusht për integrimin e Serbisë në BE.

Sidoqoftë, Daçiç vlerëson se çështja e presioneve politike ndaj Serbisë lidhur me Kosovën “nuk kanë të bëjë me BE-në, aq sa ka të bëjë me vendet anëtare të BE-së”.

Serbia po shkon drejt BE-së, është në interesin tonë të jemi anëtare e BE-së, por sigurisht që është në interesin tonë t’i mbrojmë interesat tona shtetërore dhe kombëtare dhe këtu s’ka asnjë kompromis në kuptimin që do ta njohim Kosovën apo diçka të tillë. Kjo është e papranueshme për ne”, tha Daçiç për TV Happy.

Sipas tij, ndryshimet në kushtetutën e Serbisë në fushën e drejtësisë po bëhen me rekomandimin e BE-së. Për këto ndryshime, është planifikuar mbajtja e një referendumi të dielën, më 16 janar.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar më herët se Qeveria nuk do të lejojë mbajtjen e këtij referendumi edhe në Kosovë.