S’ka si Kosova: 6 vendet që duhet patjetër t’i vizitoni

Kosova ka shumë vende të bukura që ia velën të vizitohen, në veçanti natyra është pjesa më atraktive dhe e bukur që ka vendi ynë.

Në vijim ju sjellim gjashtë vendet më të bukura për t’i vizituar në Kosovë – ndërsa, gjatë ditëve në vijim do t’ju sjellim edhe bukuritë tjera që ofrojnë trojet shqiptare.

1. Gjeravica

Gjeravica është maja më e lartë në Kosovë dhe një atraksion i vërtetë për dashamirët e natyrës, që mund të pushtohet nga secili qytetar i Kosovës – të cilët mund të mburren me këtë ngjitje.

Për të bërë këtë punë nuk është dhe shumë vështirë. Pas një ngasje prej 1 orë me xhip prej Junikut, ju pret një ecje 4 deri 6 orë dhe do të mund të mburreni me pushtimin e majës më të lartë në Kosovë.

Kjo ngjitje do të ju ofrojë pamje spektakolare, ndërsa në stinën e verës mundësi për të notuar në disa nga liqenet më të bukura glaciale në Kosovë.

2. Artana (Novobërda)

Artana (Novobërda) është një ndër vendet më të rëndësishme të Kosovës sa i përket historisë mesjetare tw vendit tonë.

Ne këtë qytet dikur kanë jetuar mbi 50 mijë banorë dhe këtë popullatë e kanë bërë minatorët saksonë, otomanët, kozakët, shqiptarët, sllavët dhe shumë popuj tjerë që janë sjellë në këtë vend për të shfrytëzuar minierat e argjendit.

Realisht, në mesjetë Novobërda ka qenë një New York apo Londër e sotme, pasi që ka qenë një metropol i vërtetë që ka ofruar vende pune për njerëz të kualifikuar në zejen e nxjerrjes dhe përpunimit të argjendit.

3. Via Ferrata Ari – Pejë

Via Ferrata është një sturukturë e metaltë që ngjitet në shkëmbinjë, ndërsa dashamirëve të natyrës iu ofron mundësinë që të përetojnë ngjitjen pa qenë alpinistë të specializuar.

Është kjo një përvojë unike që ofrohet në Kosovë vetëm nga viti 2014. Me ngjitjen e saj ju do të përjetoni pamje fantastike të Grykës së Rugovës dhe të qytetit të Pejës.

Pas ngjitjes në vertikale ju pret një ecje e lezetshme nëpër një rugë të ngushtë me vegjitacion të bollshëm dhe shenja të shtazëve të egra aty.

Me ngjitjen në Via Ferrata Ari ju do të keni shansin që të provoni edhe urën e vetme varëse në Kosovë.

4. Liqenet e Mirushës

Është një mrekulli natyrore e cila të mahnitë sa herë e shikon. Vizita e këtyre liqeneve nuk përfundon me pamjen fenomenale të Liqenit të Madh, ngase për të përjetuar tërë udhëtimin – duhet të ngjiteni dhe të shihni tërë liqenet në mënyrë që të keni ndjenjën e plotë.

Gjatë rugës do të shihni edhe shumë hardhuca dhe ndonjë gjarpër, që bëjnë një faunë të bukur të këtyre kanioneve.

5. Bjeshka e Liqenatit dhe Guri i Kuq

Bjeshka e Liqenatit dhe Maja e Gurit të Kuq i ofrojnë secilit vizitorë pamjen e “shtatë palë” bjeshkëve, dy liqene glaciale, vegjetacion pyjor dhe bjeshkë shkëmbore.

Gjatë periudhës së verës në liqe mund dhe të notohet, përderisa përrojet dhe burimet e shumta ofrojnë ujin më të mirë në botë.

Në lartësi mbi 2500 metra, Guri i Kuq është një vend shumë i pasur me bimësi të ndryshme dhe ka një rrugë e cila ofron pamje në bjeshkët e Malit të Zi, qytetin e Pejës, dhe Bjeshkët e Drelajve dhe të Shkrelit.

Ecja kalon nëpër një luginë dhe kreshtë bjeshke që nuk do të harrohet.

6. Ura e Fshejtë

Është një nga urat më të njohura në Kosovë prej nga bëhen edhe kërcimet vjetore në ujë, që janë një atraksion i njohur në tërë Kosovën.

Ura e Fshejtë është ndërtuar mbi kanion dhe është e gjatë 70m. Thellësia prej harkut deri te shtrati i ujit është 30 m.

Ndër të tjera, ura, apo më saktësisht rrethina e saj, shërben edhe si pushimore verore ku ngrihen çadrat e qytetarëve nga anë të ndryshme të Kosovës.

Po ashtu rreth saj ka shtëpiza që shërbejnë për kalimin e ditëve të verës.

Ne ua sjellem vetëm disa vende që mendojmë se ia vlen të vizitohen, e që ndoshta keni pasur dilema se ku ti kaloni fundjavat në Kosovë.