Pas eksperiencës në Kinë, Fabio Cannavaro tashmë është gati për të nisur një aventurë të re në stolin e një ekipi europian. I intervistuar nga “Fanpage”, ish-kapiteni i kombëtares italiane tha se dëshiron të rikthehet në trajning sa më shpejt të jetë e mundur:
“Jam duke pritur për mundësinë e duhur që më lejon të zbatoj idetë e mia dhe të shfrytëzoj njohuritë mbi futbollin. Qëllimi im, si ai i trajnerëve të tjerë, është të fitoj. Gjithashtu, përpiqem t’u lë diçka lojtarëve të mi. Trofetë bëjnë dallimin, por sfondi teknik që u kalon lojtarëve të kënaq më shumë”.
Cannavaro më pas trajtoi çështjen e kalimit nga një lojtar me famë ndërkombëtare në trajner, duke nënvizuar se sa i ndërlikuar është ky “tranzicion”: “Në fillim pata fatin të përfitoja nga fitimi i Kupës së Botës dhe “Topit të Artë”. Të bësh trajnerin është e vështirë, por edhe shumë stimuluese”.
Një pasazh edhe për marrëdhënien me trajnerët që ka pasur gjatë karrierës së tij në disa klube të mëdhenj evropianë: “Kam punuar me trajnerë të mirë në menaxhim dhe disiplinë si Capello. Të tjerët ishin shumë të mirë në leximin e situatave nga pankina, si Lippi, i cili ndikoi shumë te mua si futbollist.
Trajnerët taktikë si Sacchi ndryshuan futbollin italian. Dhe pastaj Malesani, i cili te Parma na mësoi gjëra që janë aktuale edhe sot”. Së fundi, disa fjalë për talentet aktuale që spikasin në futbollin europian:
“Vlahovic është sulmuesi ideal që të gjithë do të dëshironin. Ai di të shënojë, të luajë me shokët e tij, e bën repartin i vetëm. Do të jetë më i miri në 10 vitet e ardhshme. Haaland është shumë i fortë për golin, sepse është mësuar të luajë në një mënyrë të caktuar. Nga ana tjetër, Vlahovic edhe me shpinë nga porta mund të bëjë diferencën”.