Masat anti-Covid, mbyllet një lokal e shqiptohen 90 fletëparaqitje në Ferizaj

Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka vazhduar aktivitetet e saja në zbatim të vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës, për masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e Pandemisë COVID-19.

Ekipe të përbashkëta të policisë dhe inspektorëve të AUV-ut , kanë shtuar aktivitetet në rajonin e Ferizajt.

Në kuadër të këtyre aktiviteteve, mbrëmë janë kontrolluar 9 qendra tregtare dhe 41 lokale të kafeterive dhe restoranteve.

Sipas komunikatës për medie, përkundër disa vërejtjeve policore, ndaj personave fizik dhe juridik janë shqiptuar 90 fletëparaqitje, ndërsa është mbyllur edhe një lokal.

“Apelojmë tek qytetarët dhe pronarët e lokaleve, që t’i respektojnë masat e parapara ligjore me qëllim të ruajtjes së shëndetit të tyre dhe shëndetit publik. Ndërkaq, Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, fton qytetarët që të bashkëpunojnë me policinë dhe nëse kanë informacione se persona, apo vende të caktuara nuk respektojnë masat Anti-Covid-19, të lajmërojnë menjëherë policinë, stacionin më të afërt, apo përmes aplikacionit digjital ‘’Lajmëro Policinë ‘’ dhe në numrat kujdestarë : 192 ,0290/326-250; 0290/322-406, dhe policia do të marrë të gjitha masat e nevojshme , sipas ligjit. Të dhënat e juaja do të ruhen në konfidencialitet të plotë”, thuhet në komunikatë.