Ministri gjerman i Shëndetësisë, Karl Lauterbach, citohet të ketë thënë se vendi i tij duhet të shqyrtojë masa të mëtejme kufizuese rreth kontaktit social dhe duhet ta rrisë numrin e personave me dozë përforcuese të vaksinës.
Kancelari Olaf Scholz pritet të takohet të premten me udhëheqësit rajonalë për të diskutuar për mënyrat e reagimit kundër përhapjes së variantit shumë ngjitës të koronavirusit, Omicron, shkruan Reuters.
“Shtrëngimi, fatkeqësisht, do të jetë i nevojshëm për ta luftuar valën e rëndë që është duke ardhur rrugës sonë”, tha ministri gjerman për grupin medial “RedaktionsNetzwerk Deutschland”.
Instituti për sëmundje ngjitëse “Robert Koch” raportoi 58.912 raste të reja të mërkurën, gati dyfish më shumë se një ditë më parë, kur u raportuan 30.561 infeksione. Përpos rasteve, të mërkurën u shënuan edhe 346 të vdekur nga Covid-19.
Ministri gjerman i Financave, Christian Lindner, citohet të ketë thënë se Gjermania nuk dëshiron që të vendosë izolim të ri. “Dëshirojmë që t’i shmangim mbylljet e përgjithshme dhe të zonave të plota në të ardhmen”, tha ai për të përditshmen “Stuttgarter Nachrichten”.