Sot seanca për kryesuesin, a do të shpëtojë Prishtina nga zgjedhjet e jashtëzakonshme

Sot në Komunën e Prishtinës do të mbahet seanca për kryesuesin e Kuvendit Komunal.

Asamblistët e zgjedhur të Komunës së Prishtinës, do të votojnë sot për kryesuesin e Kuvendit.

Mbledhja për zgjedhjen e kryesuesit do të mbahet në orën 10:00.

E kur kanë mbetur pak orë deri në mbajtjen e kësaj mbledhje, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në krye me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, si partia fituese nuk ka arritur që të bëjë koalicion me partitë tjera. Megjithëse, pati zëra për koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), por që deri më tani nuk ka asgjë zyrtare.

Koalicionet do t’i duhen LDK-së meqë në zgjedhjet për asamble komunale ka arritur që të sigurojë 14 vende, gjë që janë të pamjaftueshme për ta zgjedhur kryesuesin.Me ç’rast për ta zgjedhur kryesuesin, LDK-së i duhet të paktën 12 vota nga subjektet tjera politike.

Nëse i njëjti nuk zgjidhet gjatë ditës sotme, Kuvendi Komunal i Prishtinës shkon në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme për asamble.

Kujtojmë që më 7 dhjetor, Përparim Rama mori detyrën e kryetarit të Prishtinës, nga ish-kryetari i Shpend Ahmeti.

Sipas Ligjit për Qeverisje Lokale, kryesuesi duhet të zgjidhet brenda 30 ditëve pas betimit të anëtarëve të Kuvendit Komunal.