Serwer nuk pret një marrëveshje Kosovë – Serbi këtë vit

Njohësi amerikan i çështjeve të Ballkanit, Daniel Serwer, nuk pret një arritje të marrëveshjes Kosovë – Serbi këtë vit e po ashtu nuk pret që së shpejti të ketë edhe takim mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Gjithmonë ka mundësi, por unë dyshoj se do të ndodhë kjo, e veçanërisht nuk do të ndodhë para zgjedhjeve në Serbi”, ka thënë Serwer në intervistë .

Zgjedhjet në Serbi do të mbahen në prill.

Serwer është pyetur edhe nëse do të ketë liberalizim të vizave për Kosovën këtë vit. Ai nuk është shprehur optimist as për këtë.

“Do të ishte budallallëk të prisja këtë, por shpresoj se do të ndodhë në vitin 2022. Francezët e holandezët duhet t’i tregojnë Prishtinës pse hezitojnë dhe t’i japin Prishtinës një mundësi për t’i kënaqur ata”, ka thënë Serwer.

Ai njëherit ka shtuar se do të presë aktivitet më të madh të SHBA-së e Britanisë së Madhe në Ballkan. Ndërsa ka shtuar edhe se pret që së shpejti në listën e sanksioneve amerikane të ketë emra tjerë.

Ndërkohë ka folur edhe për çështjen e të pagjeturve. Ai ka thënë se duhet marrë përgjegjësi secila palë për informacionin që mungon, për çdo viktimë.