Rritet numri i kërcënimit, sulmeve, linçimeve ndaj gazetarëve

Në vitin 2021, rastet e sulmeve, kërcënimeve dhe linçimeve në drejtim të gazetarëve janë rritur.

Gazetarët në Kosovë, përveç që kërcënohen, ata sulmohen e linçohen nga grupe të ndryshme interesi.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, deri më tani ka regjistruar gjithsej 29 raste të kërcënimeve, sulmeve dhe linçimeve në drejtim të gazetarëve gjatë vitit 2021.

“Në këtë vit kemi regjistruar tre sulme ndaj gazetarëve, sulme ndaj mediave dhe organizatave mediale  ka qenë një rast, Kërcënime të tjera ndaj gazetarëve janë trembëdhjetë, kërcënime kundër medieve dhe organizatave mediale  janë dy raste dhe kërcënime kundër jetës së gazetarëve  janë dhjetë raste”, thuhet në një përgjigje të AGK.

Po sipas, të dhënave të AGK, nga të gjitha llojet e incidenteve ndaj gazetave në vitin 2020 janë regjistruar 24 raste ose 5 më pak se në vitin 2021, në vitin 2019 janë regjistruar 21 raste, në vitin 2018 janë regjistruar 17 raste.

Të dhëna mbi sulmet dhe veprimet hetimore për këto sulme ofrojnë edhe Prokuroritë në Kosovë, dhe tashmë janë ngritur disa aktakuza.

Megjithatë, statistika mbi dënimet lidhur me këto sulme në gjykata nuk ofrohen nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Sipas KGJK rastet i klasifikojnë vetëm sipas veprave penale dhe jo profesionit të viktimës në këtë rast. Sipas këtij institucioni, të dhënat mund të kërkohen vetëm për raste individuale.

Punën e gjykatave të Kosovës për zgjidhjen dhe dënimin e sulmeve ndaj gazetarëve nuk po e shohin si ideale aktivistë e përfaqësues të komunitetit të gazetarëve.

Në raportin e fundit të Reporterëve pa Kufij, për lirinë e shtypit, të publikuar më 20 prill, Kosova u radhit në vendin e 78-të, përkatësisht tetë pozita më keq se vitin paraprak.

Në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) për të drejtat e njeriut në botë, për vitin 2020, kur bëhet fjalë për Kosovën, në pjesën ku flitet për lirinë e shprehjes dhe për mediat, është thënë që ekzistojnë raporte të besueshme se disa zyrtarë publikë, politikanë, biznese dhe grupe fetare, janë përpjekur t’i frikësojnë përfaqësuesit e medias.

“Disa gazetarë u tërhoqën nga raportimi kritik hulumtues, për shkak të frikës për sigurinë e tyre fizike ose sigurinë e punës”, thuhet në raportin e DASH-it.

Në këtë raport, gjithashtu është thënë që disa gazetarë janë ankuar se pronarët dhe menaxherët e medias, i kanë penguar ata të botonin ose transmetonin materiale kritike ndaj qeverisë, partive politike ose zyrtarëve të veçantë.