Analisti slloven: Albin Kurti, pa strategji në dialog

Marko Prelec, analist i lartë në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se Qeveria e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i ka përmbushur pjesërisht pritjet e tij.

Prelec ka thënë se nuk pret marrëveshje të rëndësishme mes Kosovës dhe Serbisë më 2022, edhe për shkak se Kurti dëshiron të mos i japë proritet këtij procesi. Prelec beson se Kosova do të ishte mirë që ta provonte se çfarë mund t’i ofrojë iniciativa rajonale, Ballkani i Hapur. Sa i përket sundimit të ligjit, ai thotë se Qeveria e Kurtit duhet të ketë kujdes që luftën kundër krimit të mos e bëjë mbi baza etnike.

“Mendoj se sikur të gjitha shtetet tjera fqinje ka qenë duke u përballur me pasojat e pandemisë globale. Në fillim ndoshta ka qenë më keq sesa vendet e rajonit, për shkak të fushatës së ngadalshme të vaksinimit, mirëpo më pas ka shënuar sukses të jashtëzakonshëm, duke u siguruar se vaksinat kanë arritur te njerëzit”, u shpreh ai.

 

Ai tha se Lëvizja Vetëvendosje duhet të jetë e zhgënjyer nga rezultatet në zgjedhjet lokale, ndonëse kjo nuk është diçka e pazakonshme për një parti që ka marrë pushtetin në një valë të zemërimit me udhëheqësinë e kaluar politike.

“Është sfidë që të organizohet një lëvizje e madhe me njerëz për të kundërshtuar të kaluarën dhe në të njëjtën kohë të identifikohen liderë lokalë karizmatikë për të krijuar në infrastrukturë politike që më pas të ketë sukses në zgjedhjet lokale. Nuk është e çuditshme që dolën keq. Mjaft keq”, shtoi ai.

Sipas tij, VV ka shënuar disa suksese, por edhe dështime po ashtu.

“Dhe, kjo më duket se është zemëruese, sepse ka pasur shenja se vetë Albin Kurti dhe Lëvizja që ai drejton, nuk e admirojnë ideologjinë, por suksesin dhe aftësitë politike të disa liderëve tjerë në rajon që kanë pushtet të plotë. Shumica prej tyre janë populistë sikurse (presidenti serb, Aleksandar) Vuçiq, apo lideri i Republikës Sërpska (Millorad) Dodik, apo edhe (kryeministri hungarez, Viktor) Orban në Hungari. Vetëvendosje nuk është as afër, nuk e ka atë shkallë të pushtetit. Dhe, mendoj se kjo është gjë e mirë për Kosovën. Mendoj se, po ashtu, është mirë për Kosovën që është parti e re dhe nuk ka dalë nga periudha e luftës për pavarësi, por nga koha pas pavarësisë, ndonëse i ka rrënjët më të thella. Ajo, po ashtu, është hera e parë që mund të udhëheqë vetëm me partitë e minoriteteve. Kjo e qartëson skenën politike dhe njerëzit e dinë se kush është përgjegjës. Tani ka mundësi për llogaridhënie politike gjë që vështirë arrihet kur kemi disa parti të njëjta dhe të vogla që vazhdimisht janë nëpër koalicione. Ky është zhvillim i shëndetshëm për Kosovën. Mirëpo, ndërkohë po shfaqin kokën edhe vështirësitë”, u shpreh ai.

Shton se “ka pritur që ai të jetë – siç edhe e konsideron veten deri diku – progresist apo lider nacionalist i krahut të majtë”.

“Dhe, në këtë mënyrë ka qeverisur. Ai ndjek ideologjinë e nacionalizmit të krahut të majtë”, tha tutje.

Prelec thotë se ka pritur nga Kurti të bëjë dy gjëra, të cilat i ka bërë në mënyrë të ndryshme.

“Kam pritur që ai të fokusohet në konsolidim të pushtetit brenda vendit, pra që të ketë kontroll mbi Qeverinë e Kosovës, ndonëse është sfiduese sepse ai vjen në një strukturë të dominuar plotësisht nga njerëzit që janë emëruar nga armiqtë e tij politikë. Sektori i shërbimeve civile është, po ashtu, i politizuar. E dimë se duhet të ishte i pavarur, por në realitet nuk është gjithmonë i pavarur. Kjo ndoshta mund të mos tingëllojë mirë, mirëpo duhet të ketë kontroll në mënyrë që të gjitha nivelet e pushtetit të mund të udhëhiqen në mënyrë efikase. Kam pritur që të punojë edhe në disa çështje të përditshmërisë së popullit të Kosovës. Vende të punës, edukim dhe gjëra tjera. Në këtë aspekt mendoj se nuk ka qenë shumë efikas dhe më pak vizionar sesa që kam shpresuar. Ka shumë gjëra që një shtet si Kosova mund të bëjë, sidomos sa i përket kapitalit njerëzor dhe përmirësimit të sistemit shumë të dobët të edukimit. Kjo gjë do të mund ta shpërblente për disa hapa të guximshëm që nuk po i merr”.

“Fusha tjetër është e politikës së jashtme, në të cilën ai ka treguar mungesë të interesimit në marrëdhënien me Serbinë. Diçka që më ka bërë përshtypje në Qeverinë e tij të parë ka qenë ajo se ai kurrë nuk ka artikuluar një strategji për dialogun me Serbinë. Krejt çfarë ka thënë kanë qenë kritika për qeveritë e kaluara. Pra, të stilit që “ne nuk duam të bëjmë atë që po bëjnë ata”. Mirëpo, nuk është deklaruar kurrë më shumë dhe mendoj se kjo është për shkak se as ai nuk e di si dëshiron të duket dialogu. Ai dëshiron të mos i japë prioritet dialogut”, u shpreh tutje.