Premtimi ‘6+6′ që e ‘harroi’ Albin Kurti, por jo qytetarët!

Një premtim i dhënë nga Albin Kurti e Vetëvendosja i gëzoi jashtë mase qytetarët e Kosovës. Ai tha se për prindërit e rinj do të ketë pushim të barabartë. 6 muaj nëna dhe 6 babai. Megjithatë, qëndrimi i prindit mashkull po del të jetë një premtim veç për fushatë. Realizimi, askund

“Pushimi i lehonisë do të zgjatet në 12 muaj, nga nëntë sa është tash, ndërkohë që të drejtë pushimi do të kenë të dy prindërit”

Ky ishte njëri nga premtimet e bëra nga kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, në fushatën parazgjedhore të zgjedhjeve të 14 shkurtit, në rast se ai do vinte në pushtet.

Kur kanë kaluar më shumë se nëntë muaj nga dita kur Albin Kurti u zgjodh kryeministër i Kosovës, nuk u tha as edhe një fjalë për këtë premtim.

Me ligjin aktual, pushimi i lehonisë zgjat 12 muaj; 6 muajt e parë i paguan punëdhënësi në kompensim prej 70 për qind të pagës bazë; 3 muajt vijues i paguan Qeveria e Kosovës, në bazë të pagës mesatare në Kosovë, ndërsa 3 muajt e fundit janë pa pagesë.

Premtimi ‘6+6 pushim’ u mirëprit nga baballarët dhe nënat, por, tani qytetarët kanë zbehur pritshmëritë.

Gramos S. qytetar nga Fushë Kosova, baba i një fëmije, punonjës në sektorin privat, për  deklaron se ishte i bindur se një gjë e tillë do ndodhte shumë shpejt.

Në nëntor të vitit 2021i kishte kontaktuar edhe me Ministrinë e Financave dhe Transfereve për të marrë informacione se deri ku ka arritur ky premtim.

Zëdhëndësi nga kjo ministri, Muharrem Shahini , deklaron se MFPT në vazhdimësi është duke punuar drejt realizimit të të gjitha projekteve e politikave në kuadër të Programit Qeverisës që bien në fushëveprimtarinë e kësaj Ministrie

Sociologu Labinot Kunushevci, për  asokohe tregonte se sa e rëndësishme do të ishte realizimi I këtij premtimi.

Sipas tij, idetë e tila duhet të planifikohen në formë strategjike dhe jo vetëm elektorale.

Tutje, ai deklaron se prindërit nuk janë mjaftueshëm të përgatitur, sepse, barra më e madhe bie mbi nënat në përkujdesjen fizike dhe emocionale të fëmijëve.

Aktivistja e Shoqërisë Civile, Zana Avdiu, për deklaroi se pushimi i ndarë vetëm për gra dhe shtesat për fëmijë, për momentin mund të jenë në favor të grave që lindin, por, në plane afatgjata është shumë e dëmshme.

Sipas saj, shtesat nxisin lindjet e shumta të fëmijëve, gjë që dihet se dëmton gratë, si nga ana psikologjike ashtu dhe i përjashton nga tregu i punës.

Ndryshe, Ligji i Punës ka hyrë në fuqi në fund të vitit 2010. Sipas ligjit aktual, babai i fëmijës ka të drejtë dy ditë pushim me pagesë me rastin e lindjes së fëmijës, kurse, dy javë pushim pa pagesë pas lindjes së fëmijës, ose adoptimit të tij.

Kujtojmë se, qeveritë e kaluara inicuan ndryshimin e ligjit të punës, duke tentuar të bëjnë ndryshime edhe tek çështja e pushimit të lehonisë, mirëpo, këto ndryshime deri tani nuk ndodhën asnjëherë.