Qeveria i ndan rreth 11 milionë për ndërmarrjet publike, përgjysmon vlerën e dividendës e PTK-së

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e fundit për vitin 2021, e ka miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve në shumë 10 milionë e 860 mijë për ndërrmarjet publike.

“Së pari, sipas kërkesës së Ministrisë së Ekonomisë dhe me propozim të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve buxhetore në shumë prej 10,860,000 € (dhjetë milionë e tetëqind e gjashtëdhjetë mijë euro), për zbatimin e Pakos së Ringjalljes Ekonomike për masën 4.6 – Mbështetja e Ndërmarrjeve Publike”, thuhet në komunikatë.

Derisa vendimi tjetër i miratuar në mbeldhjen e sotme ka qenë për shfuqizimin e pjesshëm për kërkesën e deklarimit dhe ekzekutimit të dividendës nga Ndërmarrja Publike “Posta dhe Telekomunikacioni i Kosovës” (PTK).

“Është miratuar vendimi për shfuqizimin e pjesshëm të Vendimit  të Qeverisë Nr. 17/20, të datës 24.03.2015, për kërkesën e deklarimit dhe ekzekutimit të dividendës nga Ndërmarrja Publike “Posta dhe Telekomunikacioni i Kosovës Sh. A. (PTK), me ç’rast vlera e dividendës së kërkuar zbritet nga 30.000.000 €  (tridhjetë milionë euro) në 15.000.000 € (pesëmbëdhjetë milionë euro)”, thuhet tutje.